Politike

Arrestimet, Alibeaj: Operacioni u dekonspirua tre ditë më parë, të hetohet edhe Ndreca me Lleshajn

Deputeti i zgjedhur, Enkelejd Alibeaj tha përmes një konference për shtyp se PD e kishte denoncuar këtu e dy vite më parë aferën korruptive për uniformat e policisë

“Atë kohë Sandër Lleshaj tha se ne po shpifnim dhe se nuk njihnim ligjin në fuqi.

Madje, ministri i Ramës, që  ka shpenzuar 350 euro nga taksat e shqiptarëve për një kapele, shkoi deri aty sa të padisë Partinë Demokratike për shpifje, duke kërkuar përgënjeshtrim të deklaratës dhe shpërblim me shumën 1 milionë lekë nga Partia Demokratike.

Paradoksalisht, teksa e vërteta po shpaloset përpara shqiptarëve, gjyqi i ngritur nga ata që vodhën miliona euro me një tender, vazhdon.

Sjellja në kujtesë e momentit të parë të denoncimit të kësaj afere, është një ilustrim i domosdoshëm për të kuptuar jo vetëm pafytyrësinë e atyre që teksa vjedhin kërkojnë të mbyllin gojën e opozitës me gjyqe propagandistike, por edhe shënjestrën e vërtetë që duhet të ketë ky aksion”, tha Alibeaj.

Më tej, ai shtoi: “Partia Demokratike është në dijeni për faktin që Ministria e Brendshme është njoftuar për këtë operacion tre ditë më parë, duke u dhënë të përfshirëve në këtë aferë të gjitha mundësitë për të fshehur provat.

Ndërsa Edlira Naqellari, drejtoresha e prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, e njohur si një person pranë Ramës dhe e emëruar në këtë post prej tij,  u largua nga ky pozicion vetëm 8 ditë më parë.

Të gjitha këto përbëjnë këmbana të forta alarmi për dekonsiprimin e operacionit, nëpërmjet të cilit përgjegjësia për milionat e vjedhura të mos mbërrijë në nivelet më të larta të qeverisë”.

“Nuk ka shqiptar që të mos dijë se një operacion korruptiv të këtyre përmasave, nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme Plarent Ndreca, një operacion korruptiv i këtyre përmasave nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, një operacion korruptiv i këtyre përmasave nuk mund të ndodhte pa përfshirjen e Edi Ramës.

Goditja e kësaj afere nuk mund të konsiderohet e plotë, nëse drejtësia nuk troket te dera e Plarent Ndrecës, Sandër Lleshaj dhe Edi Ramës”, tha Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë