Politike

‘Telefoni i Veliajt pulsoi 87 herë në Kavajë’, kryebashkiaku reagon nga burgu: Drejtoja fushatën politike!

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit, ka reaguar në lidhje me hetimet ndaj tij, duke sqaruar se pse telefoni i tij ka lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajës, gjatë muajve prill-maj 2023.

Sipas Veliajt, kjo ka ndodhur sepse gjatë vitit 2023 ka drejtuar fushatën politike të PS në në Rrogozhinë e Kavajë, jo se është pronar i vilës në Qerret.

Gjithashtu Veliaj thotë se po në bashkitë Kavajë dhe Rrogozhinë, edhe në vitin 2024, ka drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.

“Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes. Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023.

Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe Spakut një turp të tillë”, shkruan ai.

Ai gjithashtu ka sulmuar sërish prokurorin e SPAK, Ols Dado, duke thënë se ka vepruar si hetuesit e kohës së diktaturës, me rastin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë