Lajme

Teknologjia VR po prodhon zjarrfikësit e gjeneratës së re

Australia është shkatërruar nga zjarret e saj më të këqija në disa dekada. Më shumë se 2.3 milionë hektarë janë djegur dhe rreth gjysmë miliardë kafshë mund të jenë prekur. Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës i bëri zjarret më intensivë dhe një efekt i ngjashëm është vërejtur në Kaliforni.

Ndërsa këto fatkeqësi bëhen më të shpeshta, zjarrfikësit po kthehen në teknologji të reja për t’i ndihmuar në trajnime në luftën ndaj zjarrit . Disa departamente zjarri në Australi dhe Shtetet e Bashkuara kanë filluar përdorimin e realitetit virtual (VR) për të trajnuar zjarrfikësit.

FLAIM Systems me qendër në Australi ka ndërtuar një simulues trainimi VR për zjarrfikësit. Të veshur në syze VR  e kufje, kursantët janë zhytur në skenarë të jetës reale që mund të jenë shumë të rrezikshme për tu riprodhuar në botën e vërtetë.

"I gjithë qëllimi i VR është që ne t'i vendosim zjarrëfikësit në situatë të rrezikshme e të ndryshme, e t'i lëmë ata të marrin vendime dhe të bëjnë gabime," tha James Mullins, themeluesi dhe CEO i FLAIM Systems, për CNN Business.


Simulatori FLAIM Systems rikrijon të gjithë përvojën, nga skenari vizual deri në temperaturën e nxehtë prej 100 gradë celsius

Teknologjia VR prodhon efekte realiste të tymit, zjarrit, ujit dhe shkumës për shuarjen e zjarrit në disa skenarë të ndryshëm, siç është zjarri i shtëpisë, zjarri i aeroplanit ose zjarri në natyrë

Praktikantët veshin një kostum nxehtësie që replikon temperaturën e mundshme në secilin skenar, të kontrolluar nga një program që përcakton afërsinë dhe orientimin ndaj zjarrit dhe si kjo do të ndikonte në individin.

"Ne mund të ngrohim kostumin e një zjarrfikësi deri në 100 gradë Celsius,", thotë Mullin, por vetëm për afate të shkurtra kohore. Ai shton se ata gjithashtu mund të simulojnë forcën e ndjerë nga markuci, dhe njëkohësisht të matin zemrën dhe ritmin e frymëmarrjes të praktikantit.

Kompania është lançuar në vitin 2017 nga Universiteti Deakin në Victoria, Australi, ku Mullins është një profesor i asociuar. Gjatë këtyre dy viteve, ajo është rritur nga një ekip prej dy individësh në 18 persona dhe tani shpërndahet tek ofruesit e trajnimeve të zjarrfikësve në 16 vende të botës - përfshirë Australinë, Mbretërinë e Bashkuar, Hollandën, Belgjikën dhe Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2019, FLAIM Systems u emërua startup-i i vitit nga Shoqata Australiane e Industrisë së Informacionit, një organ që përfaqëson industrinë e teknologjisë së vendit.

Vitin e kaluar, Autoriteti i Zjarrit të Vendit në Australi (CFA - Country Fire Authority) pilotoi sistemin e trajnimit, dhe megjithëse ende nuk është miratuar për përdorim më të gjerë, Greg Paterson, zëvendësdrejtori i CFA, i tha CNN Business se ai mund të ishte i vlefshëm në zona të thella të vendit.

“Mund të jetë veçanërisht i dobishëm në një skenar ku ti je i rrethuar nga zjarret. Mundësia për të siguruar ekspozimin ndaj kushteve të rrezikshme të zjarrit, lejon vullnetarët të zhyten në skenarë realistë të cilët nuk do të ekspozoheshin normalisht gjatë trajnimit pa VR," shton Paterson.

Trajnuesit, zjarrfikës, nga Departamenti i Zjarrit të Cosumnes mësohen se si të reagojnë në skenarë specifikë teksa mbajnë pajisje VR

Provat e Zjarrfikësve në Kaliforni

Në tetor 2019, Departamenti i Zjarrit Cosumnes në Kaliforni, u bashkua me zhvilluesit e VR, RiVR dhe Pico Interactive, për të krijuar sistemin e tij të trajnimit për 20 rekrutë të rinj. Provat e zjarrfikësve më teknologjinë VR rezultuan të suksesshme, dhe departamenti do të vazhdojë ta përdorë VR në programin e tij të trajnimit.

"Kjo u lejon atyre të provojnë në radhë të parë sfidat unike me komunikimin, dukshmërinë e kufizuar dhe të vihen ballë për ballë me flakët në situata të rrezikshme që ata me siguri do të ndeshen gjatë karrierës së tyre të zjarrfikësve," tha kapiteni i departamentit të zjarrfikësve Julie Rider.

Si një zjarrfikës me përvojë, Rider, tha se ishte i impresionuar nga sa i gjallë ishte simulimi VR.

"Unë mund ta ndieja rrahjen e zemrës time të ngjitej ndërsa shikoja përreth dhomës, duke parë se ku filloi zjarri e shkallën e shpejtë të përhapjes së zjarrit," tha ajo. "Ishte e mahnitshme të provosh rrezikun ekstrem dhe intensitetin e zjarrit pa ndier asnjë prej efekteve të rrezikshme nga zjarri."

Një skenar zjarri në ambjent të hapur e të krijuar nga FLAIM Systems

Impakti mjedisor

Përdorimi i teknologjisë VR gjithashtu zvogëlon ndikimin mjedisor që vjen nga trajnimi i zjarrfikësve. Trajnimi tradicional çliron tym dhe ndotës në atmosferë nga substancat që digjen, duke ndikuar në cilësinë e ajrit përreth.

Kërkon gjithashtu shumë ujë, i cili mund të jetë problematik në një vend si Australia, ku shumë zona vuajnë nga kushte të rënda të thatësirës.

Kimikatet nga shkuma që përdoren zakonisht nga zjarrfikëset mund të kenë efekte anësore për shëndetin, me rrjedhjen që kontaminon tokën dhe ujin përreth. Kjo ka bërë që disa shtete në Australi t’a ndalojnë përdorimin e kësaj shkumë, përveçse në rrethana esenciale."Teknologjia jonë u lejon njerëzve të stërviten pa shkarkuar shkumë në mjedis, pa krijuar tym, e duke mos  përdorur ujë", tha Mullins.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë