Politike

Teatri, Soreca “shpërfill” padinë e Metës: Besoj tek një tender i drejtë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca shmangu përfshirjen në debatin ligjor nëse godina e Teatrit Kombëtar duhet prishur apo jo pa u shqyrtuar më parë ligji për ndërtimin e godinës së re nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ku është ankimuar nga Presidenti Ilir Meta.

Soreca zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët në Qendrën për Informim të Bashkimit Europian. Ai refuzoi t’i japë një përgjigje të drejtpërdrejtë pyetjes nëse mendonte ashtu si Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, i cili tha se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e teatrit.

https://twitter.com/gremingerosce/status/1154744813931155457

Për Ambasadorin e BE-së në Tiranë, më me rëndësi për Brukselin mbetet zbatimi i ligjit dhe garantimi i një gare të drejtë dhe të ndershme në tenderin e hapur për godinën në fjalë.

“Kjo çështje është një subjekt debati dhe për ne është me rëndësi që sundimi i ligjit dhe shtetit të së drejtës të zbatohet. Shpresoj që të garantohet një proces i drejtë tenderimi. Me sa di unë tenderi është i hapur deri më 19 shtator. Procedura e tenderit do të jetë e hapur besoj. Përsa i takon BE, me rëndësi është që të garantohet një garë e lirë dhe e ndershme në tender”, tha ai.

Ambasadori i BE-së kërkoi vetëpërmbajtje nga të gjitha palët dhe shmangie të përplasjeve në godinën e Teatrit Kombëtar, mes protestuesve që kundërshtojnë shembjen e tij dhe forcave të rendit që kërkojnë lirimin e godinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë