Lajme

Teatri, Shalsi: Po reflektojmë, do të rihapim garën

Çështja e Teatrit duket se mori zgjidhje pas letrës që Komisioni Europian i dërgoi qeverisë shqiptare, ku sqaronte se ligji i depozituar në Parlament nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

 Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ditën e sotme në një prononcim për mediat  nga Kryesia e Kuvendit është shprehur se shumica po reflekton, ndërsa ka vendosur që të amendojë dekretin e kthyer nga Meta për të rihapur garën. Deputeti Shalsi tha se dekreti i Metës do të amendohet, vetëm në pikën që përcakton hapjen e garës edhe për subjekte të tjera.

Shalsi u shpreh se qeveria kërkon që t’i japë Tiranës një godinë të re, pasi e vjetra nuk është pjesë e trashëgimisë kulturore. Mes të tjerash, ai tha se çështja për Teatrin është tymnajë që ka eklipsuar këtë projektligj.

“Është thënë se është një godinë me vlera të veçanta, ndërkohë që asnjëherë askush se ka marrë mundimin që ta klasifikojë në kontingjentin e godinave të veçanta. Debati ka qenë; duam një teatër të ri dinjitoz apo do mbajmë ekzistuesin. Ekzistuesi përveç anës emocionale që ka tek disa personazhe, nuk përfaqëson vlerë. Ne kemi marrë një vendin që t’i japim Tiranës një tjetër godinë. Morën një qasje duke bashkëpunuar me një biznes privat. Një biznes i anatemuar pa të drejtë nga opozita shprehu interes. Subjekti zotëronte një sipërfaqe dhe ne morëm në shqyrtim kërkesën. Sot që flasim, sapo dola nga një takim dhe në fillim të javës tjetër do të kristalizojmë idenë që të pranojmë ligjin. Dekreti ka shumë pika me të cilat nuk biem dakord. Siç është fakti që sipas tij shkelet konventa. Tashmë do bëjmë një ftesë apo thirrje të hapur për cilindo subjekt që do të marrë pjesë në garë”, tha Shalsi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë