Vajza tetë muajsh, Cleo-ja, pi, çdo ditë, më pak se 0.8 litra nga qumështi i saj. Por mamaja 29-vjeçare, Tabitha Frost, prodhon më shumë se dy litra e gjysmë në ditë. Gjendja e saj njihet si “hiperlaktacion” që e çon të prodhojë tri herë më shumë qumësht gjiri, sesa mesatarja. Tabitha, e cila ka edhe dy fëmijë të tjerë, ka zgjedhur ta shndërrojë këtë situatë ( që nëse nuk menaxhohet drejt, mund të çojë në ënjtje të gjëndrave të qumështit dhe mastit), në një mundësi për të ndihmuar foshnje të tjera: fëmijët alergjikë ndaj qumështit artificial dhe ata të lindur para kohe, nënave të të cilëve nuk u ka ardhur qumështi akoma. Për ta bërë këtë, mbledh qumështin e saj të paktën çdo tri orë dhe ia dhuron kujt ka nevojë: deri tani ka dhuruar më shumë se katërqind litra. “Kohëve të fundit ia kam dhuruar një çifti binjakësh të lindur parakohshëm”, shpjegon gruaja.
“Kanë nevojë të ushqehen përmes aparaturave speciale.” Tabithës i duhet të jetë gati për ta mbledhur qumështin në çdo çast, pavarësisht se ku gjendet apo çfarë po bën: “Rutina ime nuk ndalet nëse jam me pushime, nëse nuk ndihem mirë apo nëse nuk kam fjetur. E bëj gjithmonë. Është si një punë me kohë të plotë. E kam bërë kudo: në koncerte, në ndeshjet e bejsbollit, në makinë, në muze. Kudo ku mund të merrni me mend, e kam bërë. Nuk lejoj që asgjë ta pengojë.” Me t’u hedhur në kontenierë të sterilizuar, qumështi i gjirit ngrihet përpara se të dhurohet, përmes një shoqate , që quhet “Prolacta”.
Bashkëshorti i saj, Nick-u, 35 vjeç, e miraton vendimin e së shoqes, e mbështet dhe e ndihmon. Tabitha shpjegon se ndonjëherë i ndodh të zgjohet në mes të natës, ndërsa mbledh qumështin, por është shumë dakord me dhurimin dhe nuk ankohet kurrë. “Edhe nëse dalim mbrëmjeve, e di se do të veçohem për 15 minuta. E di se, pavarësisht nga vendi ku gjendem, çdo tre orë është momenti për ta mbledhur. Është padyshim një punë e vështirë, por të jep shumë kënaqësi dhe derisa do mundem, nuk do të ndalem”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.