Futboll

“Teatri” i Nejmarit, 14 minuta i shtrirë në fushë në 4 ndeshje

Po t’i mbledhësh sekondat dhe minutat që ylli brazilian Nejmar ka qëndruar i shtrirë gjatë katër ndeshjeve të deritanishme të Brazilit në Botërorin e Rusisë, besojeni apo jo, bëhen plot 14 minuta. “RTS Sport” në Zvicër ka bërë llogaritjen e kohës që sulmuesi i Brazilit ka “shpenzuar”, duke u rrotulluar në fushë që nga fillimi i Botërorit. Ekzaktësisht, janë 13 minuta e 50 sekonda. Një kohë e konsiderueshme për shkak të ekzagjerimit që Nejmar bën kur merr goditje, ose jo, duke u përpëlitur në fushë. “Teatri” i tij sjell irritim jo vetëm të kundërshtarit në fushë, por edhe për ata që e shohin nga shkallët e stadiumit dhe televizori.

13 minuta e 50 sekonda, mesatarisht 207.5 sekonda për çdo ndeshje. “Rekordin” Nejmar e ka arritur në ndeshjen me Meksikën: qëndroi i shtrirë në fushë për 5 minuta e gjysmë. Në momentin kur brazilianin e shkeli Lajun, dhe këtu sisgurisht që kishim të bënim me një sjellje aspak korrekte, loja është ndërprerë për 180 sekonda. Trajneri i Meksikës, Huan Karlos Ozorio, e akuzoi rëndë Nejmarin, duke e quajtur një simulues të shëmtuar. “Është turp për futbollin, që Nejmar sillet kështu dhe që arbitrat lejojnë skena të tilla, duke humbur shumë kohë”, - tha ai.

Nejmar gjatë ndeshjes me Meksikën, pas ndërhyrjes së Lajun

Klaudio Xhentile, ish-mbrojtësi i famshëm italian, i cili në karrierën e tij ka mbuluar shumë fenomene të futbollit, por edhe Maradona dhe Ziko, e kanë këshilluar yllin brazilian të bëhet serioz.

Skenat e Nejmarit kanë ngjallur shumë diskutime edhe në rrjetet sociale, ku janë publikuar montazhe të ndryshëm komikë, por edhe ka pasur një lumë fyerjesh. Të pamëshirshëm me brazilianin ata që duan futboll serioz. Montazhet më të shumë janë ata që e tregojnë Nejmarin duke bërë rrotullime edhe në hapësirë boshe, pa pasur një kundërshtar përballë, duke u tallur me ekzagjerimet e tij. Një grup fëmijësh kanë bërë në të njëjtën kohë “ushtrimin Nejmar”, duke u shtrirë njëkohësisht në fushë, sapo kanë dëgjuar emrin e brazilianit.

Por numrat i japin të drejtë sulmuesit të Brazilit, sepse prej fillimit të Botërorit ai ka pësuar 23 faulle, disa prej tyre të ashpër, disa edhe me dashkeqësi, siç ishte ai i meksikanit Lajun. Nejmar vjen nga një dëmtim i rëndë në këmbën e djathtë, që e kishte mbajtur jashtë fushave që në fund të shkurtit. Por ai ka ende frikën e Botërorit të 4 viteve më parë, kur u dëmtua rëndë në çerekfinale, pas një ndërhyrjeje të rëndë të kolumbianit Zuniga në shpinë. Në atë kohë humbi gjysmëfinalen me Gjermaninë dhe ajo përvojë e hidhur nuk dëshiron t’i përsëritet edhe tani. Ndoshta edhe ai vetë e kupton se po e akzagjeron, por në pikëpamjen e tij, për të shkuar në finale e Moskës, ai vlen të bëhesh edhe pak “karagjoz”…

Nejmar feston golin ndaj Meksikës

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë