Politike

“Teatri” i Metës dhe i Bashës dhe Dita e Trashëgimisë Kulturore

Të martën ishte Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, ku veç për rëndësinë e kësaj dite nuk u fol. Palët u ndanë në llogore polemikash për të nxjerrë secili hallin e vet politik.

Si fillim Presidenti Ilir Meta që u zgjua që me mëngjes duke “çalltisur” për “aktin taleban” të shembjes së Teatrit Kombëtar, e duke kërkuar drejtësi prej aty, nga maja e Presidencës për shkatërrimin e shumë vlerave unikale arkeologjike në Durrës dhe dëmtimin e monumenteve të tjera në mbarë vendin.

Me një dallim. Se për problemin e mbartur ndër vite si nga të majtë ashtu edhe të djathtë, Meta gjen vetëm një fajtor. “Këto akte barbarie, për më tepër të kryera nga institucionet shtetërore, janë sulme të drejtpërdrejta ndaj identitetit tonë kombëtar.

Ndaj sot në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore i garantoj të gjithë shqiptarët se gjithçka është mbajtur shënim dhe askush nuk ka për t’i shpëtuar Drejtësisë”, shkruan Meta

Dita e filluar me “rrufetë” e Ilir Metës që pasoi me “ylberin” e marrëveshjes 40 milion euroshe të qeverisë me BE-në po për trashëgiminë kulturore, nuk mund të mbyllej me një qëndrim të vonuar në mbrëmjen e vonuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Edhe ky i fundit për një çështje, për teatrin e prishur dhe të harruar shpejt nga e djathta dhe me premtimin e zorshëm se bash në dheun e rrafshuar pa asnjë gjurmë të Teatrit të vjetër Kombëtar, ai do të ngrejë të ngjashmin.  

“Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore e gjen Shqipërinë pa Teatrin Kombëtar, që u shemb nga regjimi si dëshmi e barbarisë dhe urrejtjes që kjo qeveri ushqen për vlerat dhe institucionet e kombit tonë...

Rikonfirmoj angazhimin tim personal dhe të Partisë Demokratike se Teatrin Kombëtar do ta rindërtojmë siç ishte aty ku ishte dhe ata që e sulmuan dhe e shembën brutalisht do të dalin përpara drejtësisë për këtë krim të rëndë ndaj kulturës, qytetarisë dhe mënyrës tonë të jetesës”, shkruan Basha... Kaq shërbeu  Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë