Lajme

Teatri i Korçës u rikthehet shfaqjeve… në natyrë. Gati për Karnavalet në 4 korrik

Pikërisht në vitin e 70 të krjimit të tij, Teatri i Korçës “Andon Zako Çajupi” i është rikthyer publikut me shfaqje teatrale dhe evente të tjera, por në ambiente të hapura. Drejtoresha e Teatrit, Zamira Kita, tregon se në kalendarin e tyre artistik, ngjarja më e afërt tani është ajo e Karnavaleve të Korçës, të cilat do të organizohen edhe këtë vit por pak më ndryshe nga herët e tjera.

https://www.facebook.com/teatri.korce/videos/1419330488454831/

“Në 4 korrik do të bëjmë Karnavalet e Korçës, por jo masive. Nuk do të ftojmë qytetarët të dalin në shesh dhe nuk do të kemi grupim. Do të kemi 10 grupe me nga 5 persona të vendosura në disa pika të zgjedhura të qytetit dhe çdo gjysmë ore do të qarkullojnë, do të ndryshohen. Do të ketë vetëm elementë të Karnavaleve për t’i kujtuar qytetit që ne jemi pjesë e kësaj feste dhe nuk do ta lëmë edhe sivjet. Ndërsa makina të hapura me 2-3 personazhe karnavalesh me muzikë ritmike do të qarkullojnë nëpër rrugicat dytësore, të cilat nuk i përfshijmë dot në këto grupimet e vogla”, tregon drejtoresha e Teatrit të Korçës.
Gjithashtu Kita tregon se shfaqja “Pas vdekjes” e Çajupit, që do të jepet së shpejti, ishte planifikuar përpara pandemisë. “Ne e kishim veprën “Pas vdekjes” të Andon Zako Çajupit në plan, që përpara pandemisë, në kuadër të 70-vjetorit të Teatrit. Pasi ndodhi pandemia një pjesë e projekteve u hoqën, një pjesë e buxhetit u shkurtua për shkak edhe të mbledhjes së të ardhurave, kështu që vendosëm që premierën e kësaj shfaqje ta japim në mes të korrikut, ta shfaqim vazhdimisht gjatë verës dhe në shtator kur të festojmë 70-vjetorin e Teatrit”, shprehet Kita.
Shfaqja “Pas Vdekjes” vjen me regji të Hervin Çulit, i cili ka menduar një koncept regjisorial shumë të veçantë, duke ndërthurur poezinë me muzikën, për ta kthyer nga një vepër me një akt në një shfaqje teatrale të plotë. Kita tregon se aktorët janë dhe këngëtarë shumë të mirë, si Albano Prodani, Mateus Frroku, Silvio Gosokova dhe Paula Kodra.

Aktorët e “Pas vdekjes”, gjatë provave të tavolinës

Shfaqja është menduar që të jepet nën rregulla strikte, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse nga Covid-19. “Pas vdekjes” shfaqet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit dhe publiku ulet në karrige duke ruajtur distancën.
“Oborri Muzeut Kombëtar të Arsimit te ABC-ja kthehet në skenë, aty vendosen prozhektorë që ndriçojnë dhe aktorët pajisen me mikrofona miza që të dëgjohen mirë. Publiku vendoset pak në oborr dhe mbi lulishten që është tek oborri i ABC-së. Karriget vendosen larg nga njëra-tjetra dhe në mënyrë diagonale. Në teatër njerëzit nuk flasin dhe nuk bëjnë muhabet si në kafe dhe përderisa kafet janë të lejuara, nuk ka pse publiku në distancë të mos jetë në një teatër në ambient të hapur… Shpresoj që do t’ia dalim dhe duam ta bëjmë këtë gjë që teatri të rifillojë punën. Publiku është i etur për teatër dhe aktorët nuk mund të vazhdojnë të rrinë dhe të krijojnë nga shtëpia, nuk mund të bëjmë më teatër virtual”, shprehet Kita.
Ajo thotë se janë planifikuar edhe 2 shfaqje të tjera, një ndër to “Shtëpia e Bernarda Albës”, por nuk dihet se si do të vazhdohet me to, duke qenë se në Korçë nuk mund të jepen shfaqje në ambient të hapur gjatë vjeshtës, sepse bën ftohtë.
“Ne po bëjmë përpjekje për të rikthyer “Shtëpia e Bernarda Albës” që mund të shfaqet tek Hani i Pazarit, ku ne mbajtëm një mbrëmje poetike, dhe aty publiku mund të qëndrojë larg njëri-tjetrit. Në shtator do të kemi Koko-Fest dhe unë paraprakisht po e mendoj në ambiente të hapura, pavarësisht se në shtator Teatri mund të hapet dhe të lejohet. Nëse aktorët do të punojnë jashtë do të kemi 5-6 trupa të ftuara me shfaqje të vogla me pak personazhe”, tha Kita.

Mbrëmja poetike te Hani i Pazarit

Përsa i përket periudhës së pandemisë, drejtoresha e Teatrit “Andon Zako Çajupi” tha se nuk ishte aspak e vështirë, por nuk mund të vijohet për më gjatë në këtë formë.
“Nuk e kemi pasur të vështirë që të gjejmë zgjidhje për art, qoftë me shfaqje nga shtëpia, montazhe poetike, parodi, këngë etj. Ne artistët e Korçës por edhe gjithë artistët e Shqipërisë e reflektuam këtë gjë, por ne ishim ndoshta ndër iniciatorët e parë që e bëmë. Kemi bërë gjëra të bukura që nuk na kanë lodhur, por fakti që kemi qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllur dhe kemi funksionuar në këtë mënyrë na ka mërzitur. Kemi kohë që kemi dalë në prova në Teatër, fillimisht me maska, tani pa maska por me distancë, sepse kemi hapësirë. Karantina nuk ishte e mërzitshme, sepse në fund të fundit kishim mundësi të reflektonim, të merreshim me familjet tona, me gjërat tona personale, por për të zgjatur më tej është e vështirë. Nuk mundemi më, ky është si të thuash një rebelim i shpirtit artistik që tenton të bëjë diçka”, tha Kita. /Përshtatur nga “Shekulli”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë