Lajme

Teatri, Basha: Ligji i miratuar antikushtetues

Pasi çështja e Teatrit është kthyer në një kauzë të Partisë Demokratike, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat e quan antikushtetues miratimin e ligjit nga Kuvendi për ndërtimin e Teatrit të Ri.

Kreu i Pd-së paralajmëron protesta në krah të artistëve për të penguar shembjen e Teatrit.

"Siç ka raportuar edhe OSBE, nga korrupsioni i lejeve të ndërtimit. Rama ka përfituar 200 mln euro. Imagjinoni sa ka përfituar nga trafiku i drogës. Këto para nuk mbahen në thasë dhe nuk futen të gjitha në bankë, ndaj Edi Rama po ndërton kulla betoni për të pastruar këto para.

Ligji është antikushtetues dhe shkatërrim i shtetit ligjor. Kuvendi ka votuar për të ligjëruar plaçkitjen dhe krimin. Dje kuvendi ka konsumuar krimin më të rëndë në historinë 27-vjeçare. Deri dje krimi dhe korrupsioni ishin antiligjore, sot janë ligji", u shpreh Basha.

Basha vazhdon më tej duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Rama, si dhe duke u bërë thirrje presidentit dhe ambasadorëve. 

"Këtë nuk e bënë as komunistët. Edi Rama është shkatërrues. Po tenton të shkatërrojë Teatrin dhe çdo monument kujtese në qendër të Tiranës. Është njeriu që e ktheu Tiranën në lavatriçe të pastrimit të parave të pista, tani po e kthen të Shqipërinë në lavatriçe.

I bëjmë thirrje presidentit të mos ligjërojë vjedhje. Ju bëj thirrje ambasadorëve, ja ku keni një projekt të pastrimit të parave të krimit, ku po dhunohet ligji, ja ku keni një tufë me peshq të mëdhenj. Nëse nuk flisni sot, s'ka për t'ju besuar askush nesër. Ne do përballemi në rrugë dhe sheshe, do mbështesim artistët në ambientet e Teatrit dhe kudo", vazhdoi më tej Basha.

Gjithashtu edhe në mbledhjen e organizuar nga PD burimet thanë se do t’i bëhet një kërkesë zyrtare presidentit Meta për të mos e dekretuar ligjin, si dhe do të nisin takimet në terren për çështjen në fjalë.

Për grupin parlamentar të PD-së kjo është një betejë e vërtetë dhe pa kthim deri në rrëzimin e Edi Ramës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë