Lajme

PD pret verdiktin e presidentit për Teatrin

Pasi mazhoranca rrëzoi kërkesën e PD-së  dhe LSI-së për të anuluar votimin e ligjit për Teatrin ka dalë në deklaratë për mediat nga Partia Demokratike, deputeti Enkelejd Alibeaj.

Ai akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për nxjerrjen jashtë funksionit të Gjykatës Kushtetuese me anë të skemave mafioze.

“Nëse ka një tregues që tregon sesa mafioz është ligji për shembjen e Teatrit kombëtar dhe ndërtimin mbi të të 6 kullave nga Edi Rama, ky tregues është mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe që pretendon nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE, është një vend ku Gjykata Kushtetuese është nxjerrë jashtë funksionit, sipas një skeme të qartë mafioze të drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Skema mafioze nëpërmjet të cilës Edi Rama asgjësoi Gjykatën Kushtetuese dhe më pas miratoi me urgjencë ligjin antikushtetues të Teatrit ka vetëm një qëllim, pastrimin e parave të pista të drogës dhe të korrupsionit të Edi Ramës”, tha deputeti Alibeaj .

Në fund ai i ka bërë thirrje edhe Presidentit Meta që të vendosë Veto-n për këtë ligj.

“Në kushtet e asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese nga mafia që na qeveris, ne po presim verdiktin e presidentit. Ne po presim që kreu i shtetit të vendosë veton e tij në ligjin mafioz, dhe të mos bëhet pjesë e grabitjes e së paku 200 milionë eurove”, u shpreh Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë