Lajme

Teatër në karantinë

Janë bërë disa ditë që Teatri i Gjilanit dhe Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar një nismë të krijimit të një kalendari online të përbashkët për të shfaqur pjesët teatrore të zhvilluara më parë në këto teatro. Kësaj nisme në rrugë e sipër u janë bashkangjtiur edhe pothuajse të gjitha teatrot e Kosovës.

Erson Zymberi, Drejtor i Teatrit të Gjilanit

“Duke parë gjendjen e jashtëzakonshme, kemi menduar të mbajmë lidhjen dhe dashurinë që kemi me spektatorin duke e krijuar formatin e #teatritneshtepi përmes publikimit livestream të shfaqjeve tona. Kjo asesi se nuk do të mund ta zëvendësojë lidhjen e gjallë që ka teatri me publikun në kushte normale, por gjithesesi do të kontribuojë në plotësimin e një boshllëku artistik që është krijuar.”- tregon drejtori i tetarit të Gjilanit Erson Zymberi për  gazetën “Si”.

Platforma financohet me pjesëmarrje të të gjithë pjesëmarrësve të kësaj nismeje.

Zymberi thotë se  “Në fakt, aktualisht nga reagimet dhe feedback-u që kemi marrë mbi këtë koordinim të përbashkët, po del si e mirëpritur dhe po duartrokitet nga të gjithe! Njerëzit kanë nevojë të shohin shfaqjet tona dhe ky është suksesi ynë. Të tjerat janë numra dhe statistka që nuk na interesojnë më shumë se krijimi dhe mbajtja e lidhjes mes teatrit-spektatorit.”

Drejtori i teatrit të Gjilanit shpjegon se secili teatër përkujdeset për organizimin dhe publikimin e shfaqjeve të tyre online përmes livestream.

 Nismën, thotë Zymberi, do të mundohemi ta vazhdojmë edhe për muajin Maj, dhe muajt e tjerë derisa ti kthehemi normalitetit

.Kurse Teatri Kombëtar i Kosovës sqaron se “Me repertorin e pezulluar, premierat e shtyra, provat e anuluara, me mbylljen e teatrit për një kohë të pacaktuar, aktorët, punërtorët dhe menaxhmenti i Teatrit Kombëtar i Kosovës, ndihet në faj dhe i pafuqishëm që nuk është me ju në çdo mbrëmje në sallën e TKK-së. Nuk jemi bashkë që të ndajmë të qeshurat e hareshme nga komeditë e repertorit tonë, të ndajmë emocionet, përjetimet, dhimbjet, lotët, por edhe momente gëzimi, ashtu siç bënim përnatë. Të ndjerë gati të paforcë, por jo të dorëzuar, edhe ne edhe ju, jemi ngujuar nëpër shtëpitë tona duke respektuar shëndetin e njëri tjetrit por edhe shtetin në përgjithësi. “Mos pyet cfarë ka bërë shteti për ju, por cfarë keni bërë ju për shtetin?!”. Institucionet shtetërore nuk kanë kërkuar kurrë më pak prej nesh, vetëm të qëndrojmë në shtëpitë tona. Mirëpo le ta dijë COVID-19; le ta dijë edhe shteti por edhe secila forcë tjetër, se nuk mund ta ndalin teatrin. Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht.”- thotë Adrian Morina nga ekipi drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës duke bërë me dije për publikun se ata do të kenë mundësi të vazhdojnë të shohin teatër edhe në kushtet e karantinës në shtëpi.

Tetari on line është promovuar edhe nga Ministria e Kulturës së Kosovës, e cila në llogarinë e saj në facebook shkruan se “kësaj iniciative i janë bashkangjitur edhe Teatri “Hadi Shehu” - Gjakovë” , Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri “Adriana” - Ferizaj”, “Qendra Multimedia”, “Teatri Oda” dhe Teatri “Urban”. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit fton të gjithë dashamirët e artit dhe teatrit në veçanti, të mos e humbasin këtë mundësi të mirë që të ndjekin këto shfaqje. Mesazhi i kësaj iniciative është: Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht!”

Të gjitha shfaqjet fillojnë nga ora 20:00 dhe jepen online / livestream përmes linkut, që publikohet ditën kur është planifikuar shfaqja, në profilet zyrtare në Facebook të të gjitha teatrove përkatëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë