Politike

Të votosh, a të mos votosh… elektronikisht, kjo është çështja

Socialistëve dhe demokratëve u kanë mbetur pak më shumë se një muaj për përfundimin e reformës zgjedhore në Këshillin Politik dhe dorëzimin e saj në Kuvend për t’u votuar nga deputetët përpara 15 marsit, afat kohor që e kanë vendosur me marrëveshje kur ranë dakord që të ngrinin këtë strukturë jashtëparlamentare për hartimin e kësaj reforme.

Afati i ngushtë kohor i ka mbajtur palët të përqëndruara në punën e tyre jashtë vëmendjes së mediave. Të gjithë anëtarët e Këshillit Politik, si socialistët, ashtu edhe demokratët, por edhe përfaqësuesit e të ashtuquajturës opozitë parlamentare kanë shmangur daljet e shpeshta mediatike.

Në tryezë janë disa teza, mes të cilave edhe votimi elektronik. Burime nga Partia Demokratike pohojnë për gazetën “Si” se aktualisht procesi teknik për realizimin e votimit elektronik dhe identifikimit bio-elektronik të votuesve, pra identifikimit përmes shenjave të gishtave, është në një fazë të avancuar dhe është çështje ditësh që të ketë një propozim përfundimtar që do të kërkojë dakordësinë e socialistëve.

Megjithatë, burimet thonë se ende nuk është mbërritur në fazën ku të testohet vullneti politik i socialistëve për këtë çështje dhe se diskutimet mes palëve vazhdojnë. Për këtë qëllim, burime të sigurta konfirmuan për gazetën “Si” se pak javë më parë përfaqësuesi teknik i një kompanie të interesuar për të ofruar shërbimin e identifikimit bio-elektronik dhe të votimit elektronik “offline” ka prezantuar në selinë e Partisë Demokratike dhe në selinë e Partisë Socialiste disa modele sesi mund të funksionojë sistemi, së bashku me kostot financiare të tyre.

Njëri prej modeleve ishte ai që pasi votuesi zgjedh në pajisjen elektronike, printohet automatikisht fleta e votimit, që po automatikisht kalon në një kuti. Burimet të gazetës “Si” deklarojnë se nga ana e socialistëve ka patur rezerva në lidhje me pjesën e dytë të votimit, pra atë kur votuesi pasi hedh votën në pajisjen elektronike i printohet fleta që kalon automatikisht në një kuti. Sipas burimeve, nga PS është ngritur shqetësimi se në këtë fazë mund të zbulohet vota, duke shkelur parimin kushtetues të fshehtësisë së votës.

Ky është njëri prej detajeve teknike që duket se ndajnë palët. Mbetet për t’u parë nëse ky dhe detaje të tjera teknike do të tejkalohen. Por, ajo që është e sigurtë është se përveç këmbënguljes se Edi Rama Kryeministër nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, Partia Demokratike e sheh teknologjinë si një mjet të domosdoshëm për të përforcuar garancinë e një procesi të drejtë dhe të ndershëm.

Dihet gjithashtu nga qëndrimet publike që palët janë dakord që në tryezë të diskutohet vetëm votimi elektronik “offline”, pra përmes një pajisjeje të palidhur me internetin, ashtu siç është edhe propozimi i demokratëve. Votimi elektronik “offline”, sipas selisë blu eleminon një sërë parregullsishë që janë identifikuar ndër vite në proceset zgjedhore tradicionale shqiptare dhe funksionimi pa qenë i lidhur në internet shmang ndërhyrjet e jashtme në sistem.

Vetë socialistët, deri në vjeshtën e vitit të kaluar ishin kategorikisht kundër. Kur PD e shtronte këtë tezë në Kuvend para zgjedhjeve të 2017, Kryeministri Edi Rama e cilësonte alibi për humbjen e radhës dhe argumentonte qëndrimin kundër duke thënë se votimi elektronik nuk ishte pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Por, në nëntor 2019, PS e testoi votimin elektronik “offline” në zgjedhjet e brendshme të saj për delegatët e Kongresit dhe pasi hodhi votën e tij në këtë formë, Rama nuk e përjashtoi si mundësi që një model i ngjashëm të sanksionohet në Kodin Zgjedhor.

Tani mbetet për t’u parë se deri në çfarë faze do të arrihet dakordësia në Këshillin Politik, për të marrë përgjigje pyetjet nëse kjo formë votimi do të realizohet në të gjithë vendin, do të testohet përmes një projekti pilot në zgjedhjet e radhës.

Çfarë është votimi elektronik “offline” me printim

Partia Demokratike ka kërkuar votimin elektronik dhe identifikimin bio-elektronik të votuesve që në vitin 2016. Opozita thotë se kjo formë ndalon komisionerët që të mund të mbushin kutitë me vota të rreme dhe do të bëjë të mundur që rezultati të shihet në mënyrë reale, por pa ndryshuar thelbësisht procesin e votimit. PD poropozon që zgjedhësit do të votojnë elektronikisht. Vota e hedhur elektronikisht më pas printohet dhe fleta e printuar kalon automatikisht në kutinë e votimit.

Pra, përveç regjistrimit virtual të votës në pajisjen elektronike ka edhe një regjistrim material fizik përmes fletës së printuar. Krahasimi i rezultateve mes fletëve të printuara me rezultatin e ruajtur virtualisht vlerësohet si një mekanizëm i fortë për të shmangur fenomenin e votimit në emër të personave të tjerë dhe të mbushjes së kutive të votimit.
Por, para se të shkohet tek votimi, PD kërkon identifikimin përmes shenjave të gishtave. Kjo, sipas opozitës do të eleminojë një sërë problemesh të hasura në proceset zgjedhore në Shqipëri dhe do të shmangte që i njëjti person të votojë dy ose më shumë herë. Në këmbënguljen për realizimin e kësaj kërkese, PD citon raportin e OSBE, ku citohen raste kur boja matrikuluese me të cilën lyhen gishtat e votuesve ka shkaktuar debate nëse fshihet apo jo.

A është teknikisht i realizueshëm ky proces? PD mendon se po. Opozita thotë se në momentin që një shtetas është i pajisur me kartë identiteti dhe pasaportë biometrike ai ka dorëzuar shenjat e gishtave. Pra, shteti e ka bazën e të dhënave për këtë pjesë. Sa për pajisjet identifikuese që do të përdoren në një qendër votimi dhe kostot e tyre, PD thotë se bëhet fjalë për një vlerë modeste, duke cituar se sot shumë prej telefonave janë të pajisur me teknologjinë e njohjes së shenjave të gishtërinjëve.

Të dy këta elementë të procesit, PD thotë se ndihmojnë në identifikimin e thjeshtë të personit që kërkon të manipulojë sistemin dhe për ta ndjekur familjarisht atë, shmang votimin familjar dhe në grupe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë