Njerez

Të varurit nga droga shpërblehen me çmime për t’u trajtuar

Harold Lewis ka vite që lufton varësinë nga droga, por kohët e fundit filloi të provojë se shërimi mund të ishte argëtues. Kjo falë një programi që përdor një qasje të veçantë për pjesëmarrje në takimet e rikuperimit.

Harold Lewis, një ish-kuzhinier 59-vjeçar, fiton çmime të vogla - karamele, karta dhuratash, syze dielli dhe kufje - për pjesëmarrjen dhe qëndrimin në trajtimet për varësinë nga opioidet.

Është e gjitha pjesë e një programi 12-javor me bazë në Brixhport të shtetit Kënektikat.

Për një numër në rritje amerikanësh, trajtimi i varësisë përfshin jo vetëm punë të palodhur, por edhe fitimin e shpërblimeve - që arrijnë ndonjëherë në 500 dollarë - për teste negative të drogës ose paraqitjen për këshillim ose takime në grup.

"Programet nxitëse motivuese janë një nga trajtimet më efektive që kemi në dispozicion për personat me çrregullime të përdorimit të substancave. Megjithatë ato janë një nga më pak të disponueshmet dhe ofrohen rrallë nga ndihmësit e vijës së parë", thotë psikologia Sara Becker, nga Universiteti Northwestern

Metoda është e bazuar në shkencën e trurit. Programet e shpërblimeve - veçanërisht kur vlera e dollarit rritet me performancë të qëndrueshme - njihen gjerësisht si trajtimi më efektiv për njerëzit e varur nga stimuluesit.

Më shumë se 150 studime mbi 30 vjeçare kanë treguar se shpërblimet funksionojnë më mirë sesa vetëm këshillimi për varësitë.

Psikologët e kanë ditur prej vitesh se njerëzit që preferojnë shpërblime të vogla dhe të menjëhershme ndaj atyre më të mëdha dhe të vonuara janë të prekshëm ndaj varësisë.

Ata mund të zotohen të lënë duhanin çdo mëngjes dhe të fillojnë ta përdorin përsëri pasdite.

Neuroshkencëtarët kanë mësuar nga studimet sesi varësia pushton qendrën e trurit, duke bllokuar rrugët e dopaminës dhe duke ua grabitur njerëzve aftësinë për të shijuar kënaqësitë e thjeshta.

“Biologjikisht, përdorimi i substancave ndriçon të njëjtën pjesë të trurit që ndizet kur një person fiton llotarinë, bie në dashuri ose përjeton diçka vërtet pozitive dhe emocionuese”, thotë psikologia Sara Becker nga Universiteti Northwestern.

E njëjta qendër ndizet nëse dikush fiton një shpërblim. Mbështetja nuk ka qenë kurrë më e fortë.

Administrata Biden e mbështeti këtë metodë në Strategjinë e saj Kombëtare të Kontrollit të Drogës.

Këtë vjeshtë, Kalifornia do të nisë një program pilot duke shpërblyer me karta dhuratash prej 10 dollarësh për testet e urinës me stimulues negativ në 24 qarqe.

Oregoni do të përdorë të ardhurat nga taksat nga industria e ligjshme e marihuanës në shtet për të paguar stimuj të ngjashëm.

Montana nisi një program në mars duke përdorur një grant federal.

"Ne jemi duke përdorur një lloj programi të quajtur Fishbowl Contingency Management, ku ka një element të rastësisë që lidhet me të. Dhe kjo do të thotë se sa herë që një pacient arrin objektivat e tij të trajtimit, ata fitojnë çmime nga një kupë ku ka 500 copa letrash. Gjysma e tyre përmbajnë fjalë inkurajuese si: "Ke bërë punë të mirë! Vazhdo punën e shkëlqyer", shpjegon psikologia Becker për programin ku është i përfshirë Harold Lewis.

Gjysma tjetër në kupë janë një përzierje çmimesh të vogla, të mëdha dhe çmimit gjigand. Për Lewisin, një shorte javor çmimesh u bë tërheqës për të sjellë dhurata në shtëpi për nënën e tij.

“Pasi fitova 80 dollarë në karta dhuratash për dyqane të ndryshme, u bë më interesante për mua”, thotë Lewis.

"E gjithë ideja e nxitjes është që të futen njerëzit në klinikë në mënyrë që të mund të marrin pjesë në grupe këshillimi që me të vërtetë i motivon ata të duan të ndryshojnë," thotë Bobby Boback.

Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore po punon për të rishikuar udhëzimin e tij se sa para nga grante nga qeveria mund të shpenzohen për çmime, shpërblime dhe karta parash.

Studiuesit thonë se kufiri aktual prej 75 dollarësh për pacient është arbitrar dhe joefektiv dhe duhet të rritet në 599 dollarë. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë