Propozim i SI

Të udhëtosh për të mposhtur stresin e kësaj kohe

Vera është një e re nga Durrësi e cila para dy javësh vendosi të bënte një udhëtim me shoqërinë e saj në Bovillë. Ajo më tregon se bëjnë udhëtime nëpër Shqipëri sa herë që dikush nga shoqëria e saj mund të jetë duke kaluar një periudhë jo të mirë apo stresuese.

“Është gjëja e parë që bëjmë sa herë njëri nga ne mund të mos ndihet mirë, marrim një agjenci turistike në telefon dhe prenotojmë një udhëtim fundjave”, thotë Vera.

Kur e pyes se çfarë ndryshon ajo fundjavë duke udhëtuar, Vera shprehet udhëtimi i ndryshon nga pak të gjithë në shoqërinë e saj. Ata janë shumë më të relaksuar, madje "të nesërmen ndjehen sikur janë një person tjetër".

Udhëtimi i saj i fundit ishte si një arratisje nga gjithë ngjarjet që kanë ndodhur deri tani.

“Një udhëtim në një vend të Shqipërisë ishte një dëshirë që e kishim që në momentin që dolëm nga izolimi dhe ky që bëmë para dy javësh ishte një ndër gjërat më me vlerë për këtë kohë”, tregon Vera. Ajo më fton të shoh në telefon fotografitë që ka bërë në Bovillë dhe buzëqesh pas çdo fotografie që kalon.

Udhëtimet për Verën dhe jo vetëm për të. Psikologia Ariana Muçën na shpjegon se ne kemi nevojë për hapësirë, ngjyra dhe gjelbërim, sepse këto i japin syrit të njeriut si perceptues dhe përcjellës në valët trunore relaks dhe ekuilibër emocional. Kjo është një gjendje harmonie në shëndetin mendor.

Ariana Muça, psikologe

“Qenia njerëzore është e ndërtuar për të qëndruar në grup dhe në lëvizje. Kur organizmi nuk ndihet i ekuilibruar, çrregullimet reflektohen në mënyrën e të sjellurit dhe të menduarit”, thotë Muça.

Prandaj terapia më e mirë pa pasur nevojën e një profesionisti është natyra, duke ekploruar nëpërmjet udhëtimeve dhe shëtitjeve.

Shkëputja nga rutina nëpërmjet një udhëtimi shkarkon stresin e përditshëm që na lodh dhe na mbingarkon dhe na kthen më pas mendimin pozitiv duke i parë problemet e përditshme me më pozitivitet.

Situata në të cilën ndodhemi e ka frenuar lëvizjen për shkak të rregullave të vendosura, por përsëri ne përpiqemi të shkëputemi nga rutina e përditshme dhe çfarë më mirë ka efekt se sa një udhëtim i organizuar në një nga agjencitë turistike.

Tek “Discover Albania”, e cila organizon ture brenda vendit, Marjana Cerekja, dizejnuese turi, na tregon se në klubi e tyre kanë anëtarë të përhershëm që bëhen shpesh pjesë e udhëtimeve të tyre. Vendet më të preferuara mbeten Veriu i Shqipërisë si Valbona dhe Thethi, pa harruar jugun me destinacion kryesor Dhërmiun.

“Më të preferuarit janë udhëtimet njëditore që organizojmë të kategorisë “hiking”, thotë Marjana.

Gjithashtu vlen të përmendet fakti se interesi është nga të gjitha grupmoshat, ndryshe nga çfarë mendohet se mund të ishin të rinjtë më shumë.

Por sa e ka ndryshuar pandemia udhëtimin nëpër Shqipëri?

“Normalisht që pandemia ka ndikuar dhe mund të them që numri i njerëzve që marrin pjesë në udhëtimet tona është përgjysmuar”, tregon Marjana. Gjithsesi ajo na shpjegon se ata kujdesen që t'i mbajnë maskat vënë gjatë gjithë udhëtimit më autobuz dhe në hyrje-dalje të mjediseve të mbyllura. S.Leka


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë