Futboll

Të shtunën shpallet projekti fitues i ‘Vlora Sport’, Flamurtari refuzon zyrtarët e FSHF-së

Gazeta Si – Vlora është një tjetër qytet i përzgjedhur nga qeveria dhe Federata Shqiptare e Futbollit për të investuar për stadiumin e ri. Por në këtë moment klubi i Flamurtarit dhe FSHF nuk kanë një marrëdhënie të mirë.

Me anë të një deklarate zyrtare, klubi vlonjat ka bërë me dije se më 6 maj, kur do të shpallet fituesi i projektit ‘Vlora Sport’, do të refuzohet pjesa kur në dëgjesë do të referojnë përfaqësuesit e FSHF-së. Një formë proteste kjo për atë që vlonjatët e quajnë teatër absurd i FSHF-së.

Flamurtari gjate nje ndeshjeje ne Vlore. Gazeta Si, 3 maj 2023

“Ditën e shtunë, më 6 maj 2023, në teatrin ‘Petro Marko’, në një dëgjesë publike shpallet projekti fitues i ‘Vlora Sport’. Flamurtari, gjatë dëgjesës refuzon të jetë bashkëdëgjues në momentin kur do të referojnë të deleguarit e Federatësë Shqiptare të Futbollit.

Kjo formë civile e protestësë vjen mbas penalizimeve të njēpasnjëshme ndaj klubit, ku rasti më i fundit është mbyllja e stadiumit deri në fund të sezonit me vendimin arbitrar për të mbajtur jashtë stadiumit sportdashësit vlonjatë. Refuzojmë teatrin absurd të Federatës Shqiptare të Futbollit”, - shkruhet në deklaratë.

Flamurtari ishte një nga tri skuadrat që pretendonin ngjitjen në elitë këtë sezon, por nuk ia doli të renditet në dyshen e parë të Kategorisë së Parë. Vlonjatët kanë rezerva për FSHF-në, për mënyrën si arbitrat e kanë trajtuar skuadrën e tyre. Flamurtari megjithatë ka edhe një shans për t’u ngjitur në Superiore me anë të ‘play-off’-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë