Lajme

Të shtënat në Vlorë, shënjestra i shpëtoi një atentati me tritol në 2017

Shënjestra e të shtënave me armë zjarri paraditen e sotme në zonën e Lungomares në Vlorë, dyshohet se është 27-vjeçari Inez Hajrulla.

Gjatë shkëmbimit me armë zjarri mes dy mjeteve në lëvizje, mbeti i plagosur 58-vjeçari Dajko Cenodemaj, i cili ishte duke pirë kafe në një lokal aty pranë.

Pas të shtënave autorët e përplasjes me armë u larguan me mjetet e tyre në rrugicat e pallateve të zonës. Ndërkohë pak pas ngjarjes policia gjeti një makinë tip Land Rover të djegur në zonën e Babicës, e cila mendohet të jetë përdorur nga një prej dy grupeve.

Edhe në zonën e Bunavisë u gjet një makinë tjetër, e cila mendohet se i përket grupit tjetër.

Inez Hajrulla i ka shpëtuar një atentati në nëntor të vitit 2017, kur makina me të cilën udhëtonte u hodh në erë.

Kjo bëri që si pasojë e dëmtimeve të marra, i riu të humbë njërën këmbë. Ndërkohë në mjetin e të riut u gjet një pistoletë me 17 fishekë, në një çantë që kishte me vete, duke bërë që të arrestohet nga policia për armëmbajtje pa leje.

Dyshohet se shkak për atentatet e përsëritura ndaj 27-vjeçarit, mund të jetë bërë ndonjë pazar i prishur droge. Ndërkohë në vitin 2016, ai është hetuar si i dyshuar edhe për djegien e makinës së një efektivi policie në Vlorë.

I riu njihet në qytetin bregdetar si djali i një biznesmeni në Vlorë, i cili ka edhe një lokal.

Po ashtu, 27-vjeçari rezulton të jetë kushëri me Renato Imerin, i cili u vra më 31 korrik të vitit 2017, pranë një lokali në zonën e Lungomares në Vlorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë