Ka ndodhur

Atentati ndaj Inez Hajrullës në Vlorë, ekstradohet nga Gjermania i akuzuari si bashkëpunëtor

Një 25-vjeçar është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e grupit që tentuan të ekzekutonin Inez Hajrullën në Vlorë në maj të vitit 2019.

Bëhet fjalë për shtetasin Serxhio Cima, ndaj të cilit Gjykata e Vlorës kishte caktuiar më herët masën “arrest në burg” për 25-vjeçarin, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ngjarja asokohe ndodhi në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, nga një automjet në lëvizje është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grupi personash që ishin ulur në një nga tavolinat e vendosura në pjesën e jashtme të një lokali në këtë lagje. Më pas, autorët janë larguar dhe kanë djegur automjetin në fshatin Babicë e Vogël. Ndërkohë nga bisedat telefonike është zbuluar se 25-vjeçari ishte pjesë e grupit të bashkëpunëtorëve.

Gjatë sulmit me armë ndaj Hajrullas, mbeti i plagosur rastësisht një qytetar, i cili ndodhej në lokal në momentin e ngjarjes.

Në fakt, dosja penale për këtë çështje ka dhjetë të pandehur, por për shkak se 4 prej tyre, Xheladin Merkaj, Ardjan Ahmeti, Dejvison Serjani dhe Nensi Shaqiri, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndjekja gjyqësore e tyre është veçuar nga 6 të pandehurit e tjerë, që akuzohen për “Vrasje në rrethana cilësuese” mbetur në tentativë, duke bërë që Gjykata e Vlorës të dalë me një vendim përfundimtar të dënimit të 4 personave.

Për 6 personat Fatmir Hyseni alias “Doqja”, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dautaj, Serxhio Cima dhe Albano Goxhaj, procesi gjyqësor është duke vijuar në gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë. Të gjithë këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dashur të vrasin, Inez Hajrulla dhe disa persona të tjerë, që ndodheshin në një lokal që ndodhet në kompleksion “Oslo” në Vlorë. Hetimet kanë provuar se organizator i këtij sulmi me dy kallashnikovë është Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit ose “Çipurit” në Vlorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë