Futboll

Të privilegjuarit e topit, ata që kanë luajtur me Maradonën dhe Mesin

Një numër i madh futbollistësh kanë pasur fatin të luajnë me më të mëdhenjtë e këtij sporti, siç janë dy nga numrat 10 më të famshëm të historisë, Diego Armando Maradonën apo me Lionel Mesin. Por ata që kanë luajtur me të dy këta lojtarë të mëdhenj janë të paktë. Ju njohim me ata që kanë pasur privilegjin e madh të shijojnë si Maradonën, ashtu edhe Mesin.

Kili Gonzalez - Ish-lojtari i Valencias dhe Interit, ishte një djalosh që sapo kishte nisur karrierën te Boka Zhuniors në sezonin 1995/1996, kur pjesë e kësaj skuadre ishte edhe Maradona. Kili ishte një lojtar ekspert i Argjentinës në vitin 2006, kur luante me Leo Mesin. Një ndër 6 të privilegjuarit që kanë luajtur me të dy mjeshtërit e topit.

Kili Gonzales me fanellën e Interit. Gazeta Si, 26 shkurt 2020

Huan Sebastian Veron - Ka luajtur në Itali me Parmën, Lacion dhe Interin dhe është një armik historik i Maradonës. Dhe të mendosh që në eksperiencën e shkurtër te Boka në 1996-ën, Diego dhe Veron kanë luajtur bashkë. Më pas nuk e kanë duruar dot njëri-tjetrin, as në ndeshje bamirësie. Më mirë me Mesin, me të cilin Veron përjetoi aventurën e Botërorit 2010, që përfundoi me eliminimin katastrofik 4-0 nga Gjermania. Kush ishte në stol? Maradona!

Veron dhe Maradona në një ndeshje bamirësie. Gazeta Si, 26 shkurt 2020

Martin Palermo – Tjetër lojtar me fat, shok skuadre me Mesin tek Argjentina, është Martin Palermo. “Titani” u grumbullua nga Maradona në kombëtare në moshën 36-vjeçare, në Botërorin e Afrikës së Jugut, ku shënoi golin vendimtar ndaj Perusë. Ishte Palermo gjithashtu që shënoi golin që vendosi ndeshjen e fundit të Maradonës, në “Superklasikon” 1997, ku Boka mundi Riverin. Pas ndeshjes Maradona u tërhoq.

Martin Palermo me fanellën e Argjentinës. Gazeta Si, 26 shkurt 2020

Roman Rikelme – Në fakt, golin e Palermos Maradona nuk e përjetoi nga fusha, por nga stoli, sepse në minutën e 45-të u zëvendësua nga i pari që u konsiderua si pasardhësi i tij, Roman Rikelme, i cili bëri një karrierë të mirë, por të pakrahasueshme me atë të Maradonës dhe Mesit. Në Botërorin e 2006-ës Rikelme ishte bashkë me Mesin e ri në Gjermani, ku përjetoi një nga 4 përvojat e hidhura në kampionate botërore.

Roman Rikelme me fanellën e Bokës. Gazeta Si, 26 shkurt 2020

Roberto Abondazieri – Portieri Roberto Abondanzieri për një periudhë të gjatë ka qenë pjesë e kombëtares së Argjentinës. Ka mbrojtur portën e saj në Botërorin e 2006-ës, por edhe në Kupën e Amerikës 2007. Abondazieri ka mbrojtur portën e Bokës edhe në sezonet e fundit të Maradonës.

Portieri argjentinas, Roberto Abondazieri. Gazeta Si, 26 shkurt 2020

Rodolfo Arruabarena – Argjentinasit, kur kujtojnë ata që kanë luajtur si me Maradonën, ashtu edhe me Mesin, nuk e fusin kurrë në listë, por edhe Rodolfo “El Vasco” Arruabarrena mund të thotë me krenari se e ka pasur këtë fat. Me Maradonën ka qenë në fushë në miqësoren e Bokës ndaj Universidad de Çile, në dhjetor të 1995-ës, kurse me Mesin ka luajtur një ndeshje zyrtare, atë me Argjentinën ndaj Spanjës në 2006-ën.

Rodolfo Arruabarena. Gazeta Si, 26 shkurt 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë