Ngjarje

Të prekurit me Covid dalin lirshëm. Policia: në kërkim të muzikës në darkë dhe të pamaskuarve

Nga data 15 tetor deri më 30 tetor rezulton të jenë gjobitur 11 mijë qytetarë, kryesisht për mosmbajtje të maskave dhe barrierave mbrojtëse. E megjithatë virusi vazhdon të avancojë, qytetarët vazhdojnë të infektohen dhe policia vazhdon të bëjë apel për ruajtjen e  distancës, mbylljen e muzikës në mbrëmje dhe shmangien e vendeve publike. 698 persona të karantinuar në vend, pasi janë të infektuar nga virusi deklarohen nga burimet e gazetës" Si" se janë kontrolluar përmes telefonit nga policia , por të gjithë janë gjetur brenda katër mureve. Ndaj siç pohojnë burimet policore nuk ka asnjë masa për shkelje karantine.

Por...

Megjithatë, në rrugë gjendja raportohet pak më ndryshe. Ka dyshime se të prekur nga Covidi e fshehin këtë fakt dhe qarkullojnë të lirë, deri edhe drejt qendrave tregtare. Por nuk ka asnjë rast të tillë të konstatuar nga policia që do të kishte sjellë jo vetëm gjobitjen, por edhe vendosjen nën hetim për përhapje të infeksionit. Policia njëkohësisht kryeson institucionin më të prekur nga Covid dëshmojnë burimet për gazetën Si, pasi që nga shpallja e pandemisë e deri më tani rezultojnë se 375 policë u prekën gjatë detyrës nga infeksioni i Covidit.

Gazeta Si konstatoi një qytetare të prekur me Covid që frekuentonte një bar në afërsi të kullave binjake, por identiteti i saj nuk mund të bëhet i ditur. Gruaja e cila ka gjithashtu të afërm të prekur nga Covidi u pa në dy ditë të njëpasnjëshme, në njërën nga ditët duke bërë ecje në një zonë të mbipopulluar dhe në ditën tjetër duke konsumuar çaj.

Ndërkohë ligji është i qartë. Moszbatimi i urdhrave për karantinim apo shkelja e rregullave të karantinës dënohet nga dy deri në tre vjet burg, përhapja me dashje e sëmundjes infektive kur personi është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes dënohet me burgim nga 2 deri në pesë vjet burgim. Këto janë disa nga ashpërsimet e kodit penal që hynë në fuqi në fillim të muajit maj 2020, pak kohë pasi vendi ynë kishte shpallur gjendjen e pandemisë botërore të shkaktuar nga Covid-19. Por nuk ka asnjë person të hetuar dhe asnjë person që të jetë dërguar para Prokurorisë për këto vepra.

Megjithëse ka dyshime se mbartës të shumë që rezultojnë pozitivë me Covid, nuk karantinohen 100 për qind, por ata dalin në rrugë, ose frekuentojnë lokalet, dyqanet dhe në disa raste edhe vendet publike sikurse në Tiranë bartës me Covid dalin në zonën e liqenit. Kjo e dhënë tregohet për gazetën Si nga burime që pohojnë se kanë indicie që jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera, numri i atyre që janë bartës të infeksionit qëndrojnë pa e kapërcyer pragun e shtëpisë. Të tjerë janë kthyer në “një bombë” me sahat për shoqërinë, por nuk ka asnjë përgjegjësi penale edhe pse kodi penal i ndryshuar është në fuqi prej gjashtë muajsh dhe u ndërhy në të për këtë shkak.

Ajo që u tha publikisht menjëherë pasi në vendin tonë u shpall gjendja e pandemisë, ishte karantinimi i detyrueshëm i shtetasve që u kthyen në Shqipëri nga vende të prekura nga Covidi. Në disa raste sporadike ata u gjobitën duke qenë se u konstatuan jashtë banesës. Por policia deklaron për gazetën Si se i kontrollon përmes telefonit të gjithë shtetasit që gjenden të karantinuar, ose në pritje të analizave ose sepse kanë dalë pozitivë. Por e gjitha kjo është e vështirë për t’u aplikuar duke qenë se numri i të karantinuarve që nuk e kanë deklaruar prekjen nga Covidi është mjaft i lartë krahasuar me ata që e pranojnë një fakt të tillë.

Ndërkohë gjatë fundjavës, Policia e Shtetit nisi një fushatë në të cilën edhe drejtori i përgjithshëm, Ardi Veliu zbriti në ish-Bllok dhe nën shoqërinë e drejtuesve të policisë vendore inspektoi masat e policisë që sërish ngjan se ka kaluar në orë të stërzgjatura shërbimi. Masat e shtuara që u kërkuan nga kryepolici Veliu dhe impenjimi më i madh i policisë nëpër lokale, parqe dhe çdo ambient publik sollën menjëherë një kurbë të lartë gjobash. Për pak orë mbi 800 qytetarë morën gjobën me vlerë 3 mijë lekë, ndërsa u raportuan nga zyra e shtypit e policisë se të tjerë u gjobitën  me masën administrative 1 milion lekë edhe për muzikë të lartë pas orës 20.00, për moszbatim të protokolleve të sigurisë.

Megjithatë, muzika e lartë pas orës 20.00 vazhdon të jetë e tillë, të pabindur që qëndrojnë në lokale me muzikë edhe pas orës 20.00 dhe qytetarë që vazhdojnë të mos i mbajnë maskat. Kjo është situata gjatë kufizimit të ditëve të fundit ku dhe synohet parandalimi i infeksionit Covid-19. Në fundjavë u raportua se vetëm për 24 orë policia gjobiti 800 shtetas për mosmbajtje të maskës, ku kryesojnë qytetet e mëdha Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Por pavarësisht se në fuqi mbetet përgjegjësia penale për këdo që i infektuar me virus del në ambientet publike, deri më tani nuk ka asnjë qytetar që të jetë vendosur nën hetim.

Policia deklaron për gazetën Si se dite për ditë ka shtetas që gjobiten, pasi refuzojnë të dorëzojnë kartën e identitetit dhe refuzojnë që të identifikohen. “Ne e bëjmë këtë kontroll për të verifikuar identitetin e shtetasve që krahason me emrat e atyre që dikasteri përkatës ia kalon përditë Policisë së Shtetit dhe që duhet të qëndrojnë të karantinuar”, rrëfen për gazetën Si një burim zyrtar i forcave të rendit. Problem mbetet edhe muzika e lartë në orët e mbrëmjes, në një rast në Tiranë pronari i një lokali u procedua në gjendje të lirë për kundërshtim të forcave të policisë. Siç raportohet në procesverbal, forcat e rendit konstatuan muzikë të lartë në orët e mbrëmjes. Por A. Z. u konfrontua me forcat e rendit dhe kundërshtoi gjobën, pasi sipas tij policëve u kishin bërë veshët, duke qenë se zhurmat nuk ishin muzikë e lartë, por të qeshurat e klientit. Ky episod u regjistrua në komisariatin numër dy thonë zyrtarisht burimet e Policisë së Shtetit që me këtë shembull tregojnë se në çfarë vështirësish po përballen agjentët për kontrollin e territorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë