Financa Personale

Të paktën 50 mijë shqiptarë janë më të varfër nga zhvlerësimi i euros

Nga Gazeta 'SI' - Eksportuesit, si pala më e zëshme që është dëmtuar nga rënia e euros, nuk është e vetmja. Euro në Shqipëri prej kohësh është një mjet me rëndësi pagese, përfshirë atë të fuqisë punëtore.

Eksperti i ekonomisë, Klodjan Muço tregon për Gazetasi.al se në Shqipëri janë rreth 50 mijë të punësuar, të deklaruar, që paguhen në euro, të cilët preken drejtëpërdrejt.

"Këta janë humbësit e dytë kryesorë pas eksportuesve. Atyre u janë reduktuar të ardhurat edhe pse paga ka mbetur e njëjtë. Të ardhurat i kanë në euro, por shpenzimet i kanë në lekë dhe u rezultojnë më pak", shpjegon Muço.

Bizneset call-center, një pjesë e madhe që funksionojnë ilegalisht, e kanë ndjerë të parët këtë efekt, të ardhurat e të cilëve janë vetëm valutë, ashtu si edhe pagat e punonjësve të tyre.

Rrjedhimisht, këta qytetarë kanë më pak të ardhura të disponueshme, lidhur kjo dhe me depozitat e tyre që janë po në euro. Zhvlerësimi i kësaj monedhe kanë zhvlerësuar me pothuajse 1% çdo muaj stokun total të kursimeve, përkthyer në miliarda lekë të humbura.

Familjet e varura nga remitancat po ashtu, do ta kenë më të vështirë menaxhimin e financave të tyre, ose dërguesit e tyre do të ndjejnë një presion të shtuar. Shifra vjetore e remitancave që hyjnë në Shqipëri shkon afër 800 mln eurove.

Eksperti Muço përmend edhe tregun imobiliar si humbës, por e cila korrigjohet. Ai shpjegon se materialet e ndërtimit blihen me euro, që do të thotë se janë në rënie norma e humbjes 'kompensohet'. Pronarët e banesave  me qira që kanë vendosur çmimet në euro janë ndër ta që humbin.

Gjithsesi, kjo situatë favorizon kredimarrësit apo qiramarrësit në euro, të ardhurat e të cilëve mund të jenë në lekë, dhe paguajnë më pak detyrime, ndonëse shuma nuk ka ndryshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë