Mesjavën e ardhshme luhen ndeshjet e radhës në grupet e Championsit dhe klubet e mëdha europiane kanë bërë nxemjen në kampionat. Shumica e tyre kanë shfaqur një formë shumë të mirë, duke arritur fitore të thella që i mbajnë në pozita të favorshme për të pretenduar titullin.
Në Angli, dyshja Liverpul-Mançester Siti nuk njohin kundërshtarë. Liverpuli fitoi 1-2 në fushën e Kristal Palasit dhe kryeson me 37 pikë pas 13 javësh, 9 më shumë se Siti i Guardiolës, që mundi me të njëjtin rezultat Çelsin, madje me përmbysje. Për ekipin e Klopit shënuan sulmuesit Mane dhe Firmino, kurse për Mançester Sitin shënuan De Bryjne dhe Mahrez, duke zhvlerësuar golin e Kante të Çelsit. Mourinjo debutoi me fitore në stolin e Totenhemit, 2-3, në fushën e Uest Hemit.
Në Spanjë, Barcelona dhe Real Madrid kryesojnë me të njëjtën kuotë pikësh, nga 28 secili. Katalanasit fituan 1-2 në fushën e Leganes, me gola të Suarez dhe Vidal, ndërsa madrilenët e nisën në disavantazh ndeshjen me Real Sociedadin në “Santiago Bernabeu”. Për t’i dhënë fitoren skuadrës së trajnerit Zinedin Zidan menduan Benzema, Valverde dhe Modriç.
Edhe në Itali, Juventusi dhe Interi kanë ecur me të njëjtin hap. Bardhezinjtë përmbysën Atalantën e Berat Gjimshitit në fushën e saj, falë dygolëshit të Higuain dhe një goli të Dibalës. Interi fitoi bindshëm, 0-3, ndaj Torinos në transfertë. Për zikaltrit shënuan Lautaro Martinez, De Vrij dhe Lukaku. Juventusi kryeson me 35 pikë pas 13 javësh kampionat, Interi ka një pikë më pak.
Edhe Bajerni i Mynihut ka fituar thellë në kampionat, 0-4 në fushën e Dyseldorfit. Pavard, Gnabri, Toliso dhe Koutinjo janë autorët e golave për skuadrën bavareze, që i afrohet një pikë vendit të parë, ku ndodhet ende Borusia Mënshegladbah, pavarësisht humbjes. Ka gabuar këtë fundjavë vetëm Borusia Dortmund, që barazoi 3-3 në fushën e saj me Paderbornin e Klaus Gjasulës, i cili mbante shiritin e kapitenit në këtë ndeshje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.