Njerez

Të luftosh me vdekjen 24 orë, vogëlushja Stela ia doli me sëmundjen e rrallë

“Në fillim më dhembte pak barku dhe mora disa ilaçe tek doktori i fshatit, ditën kisha pak temperaturë, pastaj natën më dhembte qafa, u ngrita për të shkuar tek banja dhe mu morën këmbët, pastaj shkova me mamin dhe rashë menjëherë tek duart e saj” tregon Stela, një vajzë e vogël e cila është shtruar prej ditësh në reaminacionin e Pediatrisë në QSUT.
Sytë kafe të Stelës 9 vjeçe dukeshin se ishin shumë të frikësuar, por ajo përpiqej të mos tregonte frikë. Ajo ështe një vajzë shumë e zgjuar dhe i mbante mend të gjitha simptomat që kishte kaluar, deri sa kishte ardhur në Pediatrinë e Tiranës.
Duke buzëqeshur hera herës, Stela tregoi se fillimisht kishte shkuar në spitalin e Burrelit, por aty nuk e kishin kuptuar se çfarë sëmundje kishte dhe e kishin nisur në urgjencë për në Tiranë. Nëna e Stelës, Florinda, ndërkohë tregon se e gjithë ajo natë ka qenë një tmerr për të.
“Në atë moment nuk e di si u ndjeva. Në radhë të parë mendova se ishte të fikët sepse nuk kisha parë asnjëherë kështu lloj sëmundjesh. Nuk ka pasur asnjë problem si fëmijë dhe nuk ka qenë fëmijë që ka pasur sëmundje. Pati një grip me temperaturë normale. Fillimisht volli dy herë dhe me ngeli në dorë, u tmerrova sepse njërën dorë e lëshoi në moment” tregon Florinda e cila shikon Stelën dhe mbush sytë me lot.

Infermierja që i ka qëndruar më pranë vogëlushes, tregoi se gjendja e saj ka qenë shumë e rëndë. Ndërsa, Mira Kola mjekja që ka trajtuar vogëlushen dhe njëkohësisht shefe e terapisë intensive, tregon se diagnoza e Stelës ishte “Mililit Akut Trasvers”.
“Është një vajzë që vjen me një sëmundje shumë të radhë tek moshat e vogla, unë mund të kem parë deri në 5 raste të tilla gjatë punës time 30 vjeçare. Diagnoza u vendos që ditën e parë, gjë që u përcaktua dhe nga ekzaminimet laboratorike dhe imazherike, e brenda 24 orëve u vendos terapia. Kjo sëmundje shkakton paralizë lokale fillimisht dhe dalëngadalë të gjithë trupin. Përveç paralizës, krijon edhe probleme me mushkërinë” tregon mjekja.
Infermierja tregoi më tej se vogëlushja që kishte bërë për vetë të gjithë pavijonin e Reaminacionit, fillimisht ka qenë me frymëmarrje të drejtuar dhe nëse shkëputej nga aparati do të kalonte në paralizë. Duke vijuar “teta infermierja” siç e quante ajo, tregoi se sëmundja fillon duke paralizuar këmbët, më pas duar dhe në fund me vështirësi frymëmarrje. Florinda, e heshtur i fërkon këmbët Stelës dhe shumë e emocionuar thotë se frika më e madhe që kishte, ishte se do të mbetej e paralizuar përgjithmonë.

Mira Kola

“Nuk di ta përshkruaj atë frikë, por këtu në spital janë kujdesur për të gjitha, ia kanë plotësuar të gjitha. Nuk kanë bërë asgjë pa marrë vendimin e saj, pa e pyetur,” i thotë gazetës Si Florinda e cila është personi më i lumtur që vajza e saj do të kthehet sot shëndosh e mirë në shtëpi.
Në shtëpi Stelën e pret motra e saj më e vogël e cila nuk e ka takuar prej ditësh. Prindërit e kanë lënë atë në shtëpi me gjyshen dhe vetë kanë qëndruar për ditë me radhë në pavijonin e Pediatrisë.
“Frika më e madhe e saj ka qenë ta hiqnim nga aparati, më pas kur u bind na shkroi në një letër “ma hiqni aparatin”. Pastaj pamë që ishte një vajzë shumë e komunikueshme. Stela ka ardhur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë sa mendonim se nuk do të jetonte dot. Një nga fëmijët më të veçantë që kemi pasur, sa që u gëzuam që u shërua, por edhe u mërzitëm që na iku,” tregon mjekja duke qeshur, e cila është shumë e lumtur për rezultatet që ka arritur vogëlushja.
Infermierja tregoi se kur është futur në aparat, është një luftë e vërtetë, pasi duhet ta bindësh pacientin që të mos kenë frikë. Ajo tregon se për të bërë aspirimin, duhet të futet në trup një tub nga goja në mushkëri për të nxjerrë sekrecionet që nuk kishte fuqi t’i nxirrte dhe nga frika kafshonte tubin. Infermierja tregon se ky ka qenë një ndër momentet më të vështira. Ndërkohë, vogëluashja thotë me furi se ka ditëlindjen dhe do ta festoj në Tiranë.
“Do vi përsëri për kontroll këtu në spital dhe do ta festoj ditëlindjen këtu në Tiranë. I kam ftuar të gjitha për të festuar,” tregon Stela e vogël se cila shikon “teta infermieren” e saj dhe buzëqesh me shumë dashamirësi.

Shenim: Gazeta "Si" e takoi vogëlushen në shërbimin e pediatrisë në QSUT, dy ditë para se qyteti i Tiranës të izolohej për shkak të Covid-19.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë