Komunitet

Të joshura nga “djemtë e këqij” apo thjesht pragmatiste?

Ata nuk janë Bonnie dhe Clyde. As e Bukura dhe Bisha. Ata janë çifte, në dukje me asgjë të përbashkët por në simbiozë me çfarë kërkojnë nga një partner, ose më saktë nga jeta.Partnerja e bukur në krah të një mashkulli të fortë, qoftë gangster apo pjesë më e lartë e hierarkisë së botës kriminale është tashmë një klishe, por bota e re e Instagramit , ku gjithkush (veçanërisht universi femëror) duken në garë se kush bën jetën më luksoze, i ka çuar vajzat e reja dhe gratë drejt gjetjes së një partneri, që i përmbush kërkesat dhe i siguron jetën e ëndrrave;  veshje markë, udhëtime luksoze në kryeqytetet e botës, automjete të modeleve më të fundit...gjithë ç’ofron bota e sotme e konsumerizmit.Pa rënë në kurthin e moralizmave, kjo është ajo që sociologu i njohur Zyhdi Dervishi e sheh si natyra pragmatiste e vajzave.“Nga studimet komplekse rezulton se në dashuri vajzat janë më pragmatike sesa meshkujt”, rrëfen për Gazeta Si, Dervishi, duke gjetur edhe një shembull pasqyrues të asaj çka citon më lart tek një poet shqiptar.

Dashurinë që  shemb një burrë

Nuk e njohu gruaja kurrë

Kështu shkruante Lasgush Poradeci në gazetën “Bashkimi i Kombit”, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në faqet e tjera të shtypit flitej për fitoret e lavdishme të ushtrisë naziste, në frontin e kuq. 

Prirja e vajzave që kërkojnë garancinë materiale tek partnerë problematikë, sipas Dervishit u vu re veçanërisht në 30 vitet e fundit.“Njerëzit që nisën të pasuroheshin shpejt e të imponoheshin në jetët në e vendit ishin të fortët, që e nisën me tregti, e së shumti ilegale. Kjo bëri  që vajzat pragmatiste, me dëshirë për t’u dukur shumë- përgjithësisht jeta e këtyre vajzave ka kosto të lartë dhe nuk i përballon dot me një pagë normale shteti fjala vjen,  mjek apo  pedagog dhe, ato anuan nga ajo kategori njerëzish problematikë”.

Sociologu, Zyhdi Dervishi

Pas fotografive që shkëlqejnë nga luksi dhe tepria  ka thuajse në çdo rast vetëm një subjekt; vajzën e cila vjen ndonjëherë nga bota e spektaklit, e modës apo e quan veten “influencer” të mediave sociale, ku me pagat mesatare në Shqipëri as nuk do t’i afroheshin dot jetës që përkufizohet nga  jahte e shampanjë. Partneri është gjithnjë pas objektivit të aparatit fotografik, për të dalë përballë tij në fotot klasike të arrestimeve, shpesh për trafik droge apo të tjera aktivitete kriminale.

I fejuari i këngëtares Elvana Gjata , të cilin kishte parapëlqyer ta mbante privat dhe enigmatik, qoftë edhe në ditëlindjen e saj të 30-të, kremtuar me një koncert live të albumit më të ri të saj,u bë i njohur pas përplasjes mes emrave të njohur të krimit në një bar në zonën e ish-bllokut, ku mbeti i vrarë një person.  Në arrati për më se pesë muaj,  Ervin Mata iu dorëzua autoriteteve dhe më pas u la i lirë, ndërsa në kërkim mbetet truproja i tij, Meviol Bilo,  i dyshuar si autori i vrasjes së Fabian Gaxhës. Në përleshjen e asaj nate u plagosën edhe të tjerë emra të krimit si Ervis Martinaj e Laert Hasa.

Elvana Gjata

Sponsori i jetës së luksit të Kejvina Kthellës, modelja e bërë e njohur fillimisht në emisionin “Xing” të Ermal Mamaqit, u bë i njohur pas arrestimit të Redjan Rrajës, ku ndër bisedat telefonike ishin ato me vajzën e televizioneve, e cila nuk e kishte mbajtur aspak të fshehur jetën e luksit që bënte, duke pozuar mbi makina shumë të kushtueshme. Redjan Rraja u arrestua si i dyshuari kryesor për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, atentat në të cilin humbi  jetën shoferi i tij.

Kejvina Kthella

“Do të doja që të ishte në karrierë dhe automatikisht, nëse do jetë në karrierë, ka lekë. Të tregohem më e qartë, mirë do ishte që ai të ketë lekun e vet, unë timin….por më mirë do ishte të kishte më shumë lekë sesa unë”, rrëfente Kthella në një emision televiziv.

Trejsi Sejdini, Miss Univers Albania e vitit  2018 pozonte pranë një makine Mercedes Benz, GLE V8 biturbo, e cila do të sekuestrohej si të tjera posedime të Leonard Dukës, i dyshuari për vrasjen e  Santiago Malkos.  Ishte automjeti që Duka ia kishte dhuruar të dashurës së tij bukuroshe, e cila nuk mundi ta gëzonte gjatë.

Makina dhuratë, e sekuestruar nga policia , Trejsi Sejdini

Velina Viola Spiro megjithëse shfaqej shumë e dashuruar me partnerin e saj, nuk dëshironte të zbulonte më shumë detaje, ndërsa ato u zbuluan pas ndalimit  të Valentin Selajt në Holanndë. Madje mediat italiane, pasi u  arrestua në Firence, e etiketuan si “Zoti i Drogës”, si kreu i një bande të fuqishme ndërkombëtare që sillte  kokainë nga ShBA drejt Firences, duke kaluar përmes porteve të Holandës.Nuk do të shpëtonte edhe komenti i mediave fqinje se persona të tillë të botës së krimit kanë gjithnjë pranë vetes vajza të bukura.

Viola Spiro

Baroni më i famshëm dhe më i kërkuar i drogës,  i njohur El Chapo  u martua me bukuroshen amerikane,  Emma Coronel Aispuro. Guzman, si një nga  krerët e trafikut të drogës në Meksikë është 63 vjeç, ndërsa gruaja e tij e cila së fundi ka sjellë në jetë dy fëmijë binjakë, është vetëm 30 vjeç.

“Nga ana tjetër,  duhet theksuar se në shoqërinë shqiptare, përgjithësisht  vajzat që kanë pasur  lidhje të kësaj natyre, formale apo jo, nuk kanë pasur asnjë pasojë. Nuk kanë pasoja, nuk janë të rrezikuara  dhe luajnë me  fitimin. Sigurojnë përfitime materiale por nuk rrezikohen, sepse në kodin e  shqiptarëve përgjithësish vajzat dhe gratë nuk vriten, janë të rralla rastet”, thotë sociologu Dervishi, ndërsa fjalët e tij i konfirmon rasti i fundit, ku u përfshi këngëtarja nga Kosova, Fjolla Morina.

Megjithëse u ndalua në pikën kufitare të Kukësit, me  një armë zjarri të tipit pistoletë dhe 23 fishekë, të cilat i deklaroi se ishin të sajat dhe i kishte harruar në çantë, ndërsa udhëtonte drejt Shqipërisë , megjithëse  gënjeu duke paraqitur një test shtatzënie fals, Fjolla Morina ndryshe nga dy personat me të cilët udhëtonte –biznesmeni Fisnik Syla dhe shoferi Fitim Muji  me masë arresti 30 ditë burg -, Fjolla Morina u la në arrest shtëpie, për t’u kujdesur për fëmijën e mitur.

Fjolla Morina, shoqëruar nga policia

“Përgjithësisht janë afrime e lidhje problematike, nuk kanë pasur vazhdimësi.  Një  pjesë e këtyre meshkujve janë ekzekutuar apo kanë përfunduar në burgime afatgjata, por gjithsesi  në fare pak raste, vajza që janë shoqëruar me njerëz problematike kanë pasur ndonjë pasojë, me rrezik jete”, thotë Zyhdi Dervishi, duke shtuar se edhe pas ndarjes, këto vajza kanë pasur farë sigurimi ekonomik për të vazhduar  një jetë të pavarur.

Ndonëse sociologu Dervishi e sheh se në fillimvitet ’90, shoqëria shqiptare kishte ende një frymë idealiste e nuk e kishte përqafuar kështu materializmin e pragmatizmin,  rastet e vajzave të spektaklit në lidhje me persona të botës së krimit, i kanë fillesat nga nisja e tranzicionit.

Moderatorja Rudina Magjistare, njihej si e dashura e Denis Ginës, një nga gangsterët më në zë të  Tiranës dhe kreu i bandës së “Rrugës së Kavajës”. Ai u vra më 1999-n, në periferi të kryeqytetit, në moshën 27-vjeçare.

Aktorja dhe regjisorja e Teatrit, Inis Gjoni ishte në një lidhje të gjatë me Arian Selimin. Pasi kreu dënimin me burg, Selimi me të cilin Gjoni ka një vajzë, u vra në një ekzekutim mafioz në Tiranë.

Përpara episodit të fundit, emri i Fjolla Morinës do të përfshihej në një tjetër ngjarje, atë të vrasjes së Juxhin Dautit  më 2017-n, në Sukth. Thuhej se këngëtarja kishte qenë në një lidhje me Dautaj, zëra që ajo i konfirmoi me këngën e saj “Si ta pranoj”, ku u shfaq e veshur e gjitha në të zeza.

Sociologu Gëzim Tushi

“Në përgjithësi tek lidhjet e shpejtuara, të pamenduara të vajzave të reja të botës së publike të modës, ekranit, dhe jetës publike po ndodh një proces degradues, i cili në jo pak raste është rezultat i veprimit të nxituar mekanik të veçimit të lidhjeve seksuale e martesore nga zemra, duke e bërë një lidhje pragmatiste e merkantiliste për interesa materiale, konsumistike e hedonistike”, mendon sociologu Gëzim Tushi, duke i parë këto dukuri si justifikime të fryteve të Revolucionit Seksual, që “ka krijuar konceptin e mbivlerësimit të femrave të lira që në të vërteta janë femra të lehta”, mendon ai.

Sipas Tushit, lidhja me njeriun pa kushte thelbësore, vetëm pse ai është i pasur apo  fortë, vetëm për pasuri apo forcë sociale dhe fizike, është tregues i sigurt i një lidhjeje me “cilësi të dobët”.

“Sociologët e martesës, duke vlerësuar kurbën e ecjes dhe fatin e martesave të tilla, janë të mendimit se këto lloj lidhjesh me cilësi të dobët janë forma të maskuara të prostitucionit”, vijon Tushi, ndërsa sociologu Dervishi e sheh edhe si një shenjë të depresionit të shoqërisë e më konkretisht të vajzave. “ Nga njëra anë vajzat janë të depresuara dhe  depresioni i çon drejt këtyre lidhjeve, sepse nuk besojnë më tek një jetë e dinjitoze, fisnike”, thotë Dervishi duke shtuar se në shoqëritë e pastabilizuara ku paraja kontrollohet nga “të fortët”, njerëzi që punojnë jashtë skemave të ligjshme ndriçojnë shpejt dhe është ky ndriçim që , i josh vajzat.

Fjolla Morina

Për Gëzim Tushin, është fatale që universi femëror të reduktohet në forma të lidhjes merkantiliste e të papërgjegjshme, ndërsa Dervishi gjykon që në shoqërinë shqiptare burrat janë më idealistë, ndërsa vajzat dhe gratë janë më praktike.

Por ka edhe nga ato raste ku vajza të tilla bien në dashuri vërtet me njerëz të botës së krimit apo “djemtë e këqij”. Gruaja e El Chqapo-s në një intervistë pohonte se e “admironte” , bosin e drogës përgjegjës për dhjetëra vrasje. Një kërkim shkencor e sheh këtë fenomen më të zakonshëm sesa ishte menduar.

Një studimi i fundit i sjelljes seksualetë  hybristophilia-s, në të cilën individët e gjejnë veten tw tërhequra seksualisht  ndaj atyre që kanë kryer një akt  kriminal, zbulon se jo prek më shumë femrat sesa meshkujt.

Kjo sjellje madje është e demonstruar në  rastet e vrasësve famëkeq  në seri, si  Charles Manson dhe Ted Bundy, që dihet se  marrin korrespodencë fansash, ato  me natyrë seksuale vijnë kryesisht  nga femrat.

Fjolla Morina

Në një studim të botuar në  revistën “Déliquance, justice et autres questions de société”, kërkuesit u fokusuan në më shumë se 300 raste të fenomenit në mediat amerikane dhe europiane në një periudhë dhjetë vjeçare,  2005-2015.  Sipas studimit 70 përqind e rasteve të  shkeljeve seksuale në sistemin peniteciar amerikan përfshinin stafin femëror, edhe pse ishin më pak se gjysma e forcës punëtore në burgje.

Nisur nga rolet në të cilët punojnë zakonisht femrat- psikiatre, psikologe, kriminologe- , kjo çonte në lidhje emocionale mes femrave dhe të të burgosurve. Shkenca thotë se gratë janë të tërhequra nga meshkujt me tipare më të theksuara mashkullore gjatë mesit të ciklit të tyre menstrual, kur janë më pjellore. Burrat me tipare mashkullore kanë gjene të një cilësie më të mira, duke u bërë tërheqëse për gratë  në një  nivel të pavetëdijshëm evolucionar.

Po sipas kërkimeve shkencore të sjelljes, “djemtë e këqij” i çlirojnë gratë dhe vajzat nga presioni për të qenë “vajza të mira”. “Vajzat posedojnë një gamë tiparesh, si rebelizmi”, shpjegon Robyn McKay, psikologe. “Këto tipare shtypen gjatë fëmijërisë, ndërsa femrat formëzohen të jenë të bindura dhe të pranueshme.  Nëse jeta e brendshme e një vajze është e pashprehur, ajo mund të tërhiqet nga “djemtë e këqij”,  në një mënyrë për të shprehur rebelen e saj të brendshme”.

Trejsi Sejdini

Praktikisht tërhiqemi tek të tjerët nga cilësi që vetë nuk i kemi”, thotë sociologia dhe seksologia klinike, Sarah Melancon, Ph.D. “Një vajzë e mirë” mund të admirojë sensin e lirisë të një “djali të keq”. Pavarësishtf aktit se kjo e bën atë një partner të papërputhshëm në afatgjatë, e bën shumë tërheqës  duke menduar se  ia vlen dhimbja ,  që mund të shoqërizohet me këtë.

Dr. Cunningham shton  se “Nëse femrat nuk ndihen të forta e të pavarura, ato mund të duan dikë të tillë në jetët e tyre”.  “Djemtë e këqij mund të jenë një ndryshim i mirëseardhur nga një lloj i zakonshëm partnerësh” thotë Dr. Fugère, veçanërisht nëse gratë janë mërzitur me këtë lloj, shton Dr. McKay, “këta burra duken eksitues dhe argëtues – por lidhja me ta vjen me një valixhe të rendë, si lëndimi, zënkat,  varësi dhe dosje kriminale.”

Për shembull, hipnoterapistja Jennifer Schlueter ishte përfshirë me një djalë të keq, nga një vend dhe kulturë tjetër. “Energjia mes nesh ishte shpërthyese, që rezultoi në seks të hatashëm dhe aventura, por edhe sherre” thotë ajo.

Kejvina Kthella

“Djemtë e këqij” mund të duken tabu , që e shton edhe më tej joshjen e tyre. Gratë që ndihen të kërcënuara shpesh dashurohen me djem të fortë. Ato  dëshirojnë dikë në jetën e tyre mjaft të fortë për të përballuar botën dhe për t’i grushtuar, kur është e nevojshme”. “Ka gjasa që disa gra të ndihen më të mbrojtura nga djemtë e fortë dhe lehtësia e tyre drejt agresivitetit, thotë Marni Feuerman, psikoterapeute.

“Djemtë e këqij” bëhen edhe një projekt i vajzave. Djemtë e këqija nuk janë të prirë për t’u qetësuar në një marrëdhënie monogame aq shpejt. Nëse e bind dikë të angazhohet, ndihet si një arritje”, thotë Margaret Seide, psikiatre.  “Mendon se nëse arrin ta shtrosh njërin, mund të jesh simpatike, argëtuese dhe mjaftueshëm inteligjente  për të fituar këtë çmim. Për shkak të presioneve shoqërore, gratë janë shpesh një kërkesë e përjetshme për vlerësim dhe ajo ndjenjë e rrejshme e të qenit mjaftueshëm e mirë. Kërkimi i djemve të këqij është  një tjetër shembull ndaj kësaj.

Por duke dalë nga thellësitë e psikës njerëzore dhe arsyet  nga më të pavetëdijshmet që e çojnë një vajzë drejt një lidhjeje me një njeri të botës së krimit, në sipërfaqe shkëlqen ende luksi dhe vajzat e tilla nuk i ndalin postimet “glamour” në Instagram, as edhe kërkimet për të tjerë të ngjashëm që do t’u sigurojnë jetën e dëshiruar. /S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë