Opinion

Gëzim Tushi: Martesa, institucion i dashurisë apo i interesit?

Nga Gëzim Tushi* - Jeta dashurore dhe lidhjet martesore në kohën modern janë bërë diverse me veçori e larmi të shumta lidhjeje. Në fakt qëllimi kryesor i një lidhjeje në çift është sigurimi i lumturisë martesore. Këto janë disa fenomene të cilat kohët e fundit ose e kanë degraduar ose e kanë zënë martesën për fyti.

Është fatale që universi femëror të reduktohet në forma të lidhjes merkantiliste e të papërgjegjshme. Kjo shoqëri e ka bërë ideologji të saj hipokrizinë seksuale dhe ka një proces të zhveshjes, ndarjes  së seksit nga sentimentalizmi. Kjo sidomos në kushtet kur prishet ekuacioni i lidhjes së ndjenjave me seksin midis partnerëve seksualë apo martesorë. Kjo që po ndodh është shfaqje e deformimit të hapësirave të seksualitetit.

Në përgjithësi tek lidhjet e shpejtuara, të pamenduara të vajzave të reja të botës së publike të modës, ekranit, dhe jetës publike po ndodh një proces degradues, i cili në jo pak raste është rezultat i veprimit të nxituar mekanik të veçimit të lidhjeve seksuale e martesore nga zemra, duke e bërë një lidhje pragmatiste e merkantiliste për interesa materiale, konsumistike e hedonistike. Në përgjithësi këto dukuri justifikohen me frytet e revolucionit seksual që ka krijuar konceptin e mbivlerësimit të femrave të lira që në të vërteta janë femra të lehta.

Në të vërtetë shumë nga këto lidhje të ngutshme, aparenciale të bërë për motive jo thelbësisht erotike dashurore, që janë të brendshme, ontologjike por për qëllime sipërfaqësore, janë pa të ardhme. Ana sentimentale është superficial dhe e shoqëruar me një ndjenjë kalimtare, ose e bazuar në konceptin e martesës si lidhje rastësore ose e radhës me një njeri. Këto lidhje martesore bazuar në motive të jashtme material, konsumistike, për bravurë apo famë publike pasurore apo gangsterore të partnerit, janë afatshkurta, kalimtare pa të ardhme.

Këto janë “martesa false”, lidhje të ngutura e të gabuara të cilat doemos janë pjesë në zgjerim e rritjes se skarcitetit. Në se lidhja bëhet për arsye ekstra dashurore apo me synime ngushtësisht material, atëherë është e pritur të ndodh fare shpejt ndarja e “seksit” nga zemra. Shpesh herë disa femra bëhen viktimë për burrin egoist, i cili duke qenë se e ndjen veten superior ekonomikisht, duke harruar të vërtetën e përjetshme që martesa të ngarkon me një përgjegjësi që duhet mbajtur gjatë. Lidhja me njeriun pa kushte thelbësore, vetëm pse ai është i pasur apo  fortë, vetëm për pasuri apo forcë sociale dhe fizike, është tregues i sigurt i një lidhjeje me “cilësi të dobët”.

Sociologët e martesës, duke vlerësuar kurbën e ecjes dhe fatin e martesave të tilla, janë të mendimit se këto lloj lidhjesh me cilësi të dobët janë forma të maskuara të prostitucionit. Martesa është institucion i dashurisë, i lirë dhe vullnetar por asnjëherë thjesht i interesit. Kjo duket në faktin që ka plot raste kur femrat në emër të nevojave konsumistike, idolatrizojnë njeriun e pasur, lidhen me të pa kushte duke e shndërruar martesën në një “biznes të pastër”, apo në llogari biznesi e pavarur nga ndjenjat e vërteta.

Sigurisht koha postmoderne e ka restriktuar modelin e pastër të martesës si lidhje e pastër erotike, duke i dhënë kësaj lidhje gjithnjë e më shumë një karakter shumë më pragmatik, e cila në jo pak raste e kthen atë në një “burg social” për femrën dhe perspektiva e martesës është divorci. Konfliktual apo konsensual qoftë.

Këshilla që mund të jepet në këtë rast për ato femra që në lidhjen e tyre nuk shikojnë atë që është thelbësore por thjesht dukjen, aparencën sociale, pasurinë, anën material dhe përfitimet e tjera pragmatiste, është: Martesa nuk është lojë për të kaluar kohën dhe kënaqur nevojat imediate të trupit. Sepse një lidhje pa përgjegjësi e bërë për motive të jashtme të dukjes apo pasurisë shumë shpejt do konvertohet në mërzi, konflikte, monotoni bashkëshortore. Për pasojë nuk është zgjidhje e lehtë apo ca më keq që të mund të bëhet me mendjelehtësi. Këto janë gjëra të vërtetuara nga jeta dhe jo thjesht “predikime moralistike”.

*Gëzim Tushi, sociolog, "Mjeshtër i Madh"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë