Politike

Të hënën BE emëron të Dërguar Special për Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Cështjet e Jashtme Josep Borell do të paraqesë para ministrave të jashtëm të BE-së të hënën idenë e emërimit të një dërguari special ose përfaqësuesve për Ballkanin Perëndimor.

Lajmi u konfirmua nga zyrtarët e BE-së për mediat.

Kjo cështje do të diskutohet zyrtarisht për herë të parë në takimin e ministrave të jashtëm, megjithëse emërimi i tij është diskutuar me muaj.

Zyrtarët e BE-së thonë në lidhje me këtë çështje se është e paqartë se cila do të jetë fusha e funksionit, qoftë gjeografikisht, qoftë politik. Mbetet e paqartë nëse përfaqësuesi do të mbikëqyrë tërë Ballkanin Perëndimor apo vetëm Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën, por kuptohet që dialogu i Beogradit dhe Prishtinës do të mbetet në fokus të përfaqësuesit të ardhshëm.

Sipas një raporti për media, Mirosllav Lajçak mund të zgjidhet në këtë pozicion, por lajmi nuk është konfirmuar. E përditshmja serbe “Blic” raportoi se Presidenti i Serbisë nuk e përjashtoi një mundësi të tillë.

Emërimi zyrtar pritet të ndodhë disa javë më vonë por të gjitha procedurat duhet të përfundojnë deri në pranverë.

Miroslav Lajçak, Gazeta Si, 2020

Bashkimi Europian ka mbajtur prej muajsh bisedime intensive për gjetjen e një zyrtari të përshtatshëm për postin e ri të të Dërguarit Special për Ballkanin Perëndimor. Dhe deri më tani, ministri i Jashtëm sllovak Mirosllav Lajçak, një njohës i mirë i rajonit, shihet si kandidati më serioz

Mediat serbe, por edhe ato të rajonit, theksojnë se qëllimi i BE-së është që para së gjithash të zbusë ndikimin e SHBA në rajon dhe të punojë ngushtë më Kosovën dhe Serbinë për arritjen e një marrëveshje. Një detyrë po aq e rëndësishme e Përfaqësuesit të BE-së, do të jetë monitorimi i procesit të integrimit dhe reformave të ndërmarra nga vendet e rajonit.

Si njohës i mirë i situatës politike në Ballkan dhe një politikan me përvojë i cili tashmë ka kryer shumë detyra të rëndësishme në rajon, Lajçak, shihet si kandidati që i plotëson të gjitha kushtet. Ai është po ashtu Kryesues i OSBE-së.

Ai u sulmua ashër nga opozita dhe mediat pro saj në Tiranë pasi i doli në mbrojtje ambasadorit të OSBE Bernd Boschard, pasi ky i fundit ofendoi rëndë protestuesit e Astirit. Por Lajcak mbrojti punën e bërë nga Boschard, duke thënë se Ambasadori i OSBE-së ndodhej nën presion. Ai dënoi po ashtu sulmin e bërë ndaj ambasadorit Boschard, pas protestës së 11 Majit, ku disa të rinj të PD-së shkruan “Boshard shame on you” para shtëpisë së tij, duke u sulmuar sërish nga opozita. Por raportet e medieve të rajonit, sugjerojnë se Lajcak është vetëm një hap përpara konfirmimit si i dërguari special i BE-së në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë