Sociale

Të helmuarit në Bulqizë, ISHP nuk gjen ndotje

Pas helmimit të 113 banorëve në lagjen e vjetër të qytetit të Bulqizës, Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë analizat e para të ujit.
Sipas Institutit, analizat e ujit të pijshëm kanë rezultuar negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale.
“Përgjigjja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
ISHP bën me dije se për të pasur një përgjigje përfundimtare për helmimin e këtyre banorëve duhet më parë të dalin edhe rezultatet e tjera të analizave nga mostrat, të cilat janë marrë nga uji i Bulqizës.
“Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.
Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim”, thuhet më tej në njoftim.

Urgjenca e spitalit të Bulqizës në harkun kohor të dy ditëve u përball me një fluks të madh njerëzish të helmuar, ku mes tyre rezultonin edhe mbi 20 fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë