Shendet

Të gjithë dynden në QSUT: Në panik nga gripi, ç’nuk po dëgjojmë

“Aq jemi trembur sa nuk dimë ç’të të themi”, thotë Nexhmije S. një grua e cila qëndron në këmbë e mbështetur tek kangjellat e shkallëve të Spitalit Infektiv në QSUT. Ajo pret orën 11.00 për t’u futur brenda në spital që të vizitojë djalin e saj, i cili para tre ditësh kishte ardhur në spital për shkak të temperaturës së lartë. Duke folur për Gazetën “Si”, Nexhmija thotë se prej pesë ditësh i biri kishte marrë mjekime për gjendjen gripale por nuk ishte shëruar, kështu që ishin detyruar të vinin në Infektiv.
“Ia nisi me temperaturë të lartë dhe unë me burrin u trembëm shumë. Me gjithë këto gjëra që po dëgjojmë u bëmë merak se gjithë kohës kishte kollë dhe temperaturë të lartë. Shyqyr zotit që mjekët na thanë se ishte vetëm grip”,shprehet ajo, ndërsa hera-herës hedh sytë mbi ekranin e telefoni për të parë orën.

Pak më tej, një burrë rreth të pesëdhjetave, po flet me rojën e derës. Edhe ai për të vizituar të mbesën. Në shkallët e Spitalit Infektiv vijnë e ikin vazhdimisht njerëz këtë paradite, ndërsa në urgjencën e këtij spitali gjendja duket gjithsesi e qetë. Infermierë dhe mjekë na thonë se pacientët me gjendje gripale që kanë ardhur këtu, janë tepër të shqetësuar.
Ajo çka vërejmë rreth spitaleve, është se personeli mjekësor është më i kujdesshëm dhe të gjithë janë pajisur me maska fytyre.
Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vendi ynë ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus, por njerëzit janë tepër të shqetësuar për shkak të lajmeve dëgjojnë në çdo moment.

Infeksionisti Pëllumb Pipero

Infeksionisti Pëllumb Pipero thotë për Gazetën “Si” se gjendja gripale është normale.“Fluksi i rasteve me simptoma të gripit stinor ditët e fundit ka pësuar një rënie të lehtë, por fakti që në urgjencën e QSUT vijnë shumë raste, për të mos thënë të gjithë, me ose pa arsye, e vështirëson punë e ekipeve të urgjencave mjekësore”, shprehet Pipero.
Në javën e gjashtë të 2020-s vërehet një prirje në rënie e numrit të Infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtme, por si numër në total është 7% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shumë njerëz që takojmë pranë QSUT-së na thonë se gjendja gripale që po kalojnë, i ka frikësuar më shumë se çdo herë tjetër.
Petriti, një mesoburrë që sapo ka dalë nga spitali, na thotë se kjo situatë e gripit padyshim që i ka bërë atë edhe të afërmit e tij të jenë më të kujdesshëm.

“Në mëngjes kisha vajzën me temperaturë dhe e solla direkt se nuk i dihet. E vizitova dhe temperatura i ra e është më e qetë tani. Janë bërë keq sëmundjet, s’dimë nga të mbrohemi”, thotë ai. Petriti ka ardhur nga Kamza në urgjencën e QSUT-së për shkak se ishte frikësuar dhe nuk kishte pyetur tek qendrat shëndetësore në zonën ku banonte.

“Kur je sëmurë, shkon atje ku të thotë truri më parë, nuk mendon shumë,” shprehet ai,ndërkohë që shkon të marrë makinën për t’u larguar nga spitali.
Ndërkaq mjeku Pipero nënvizon se në Tiranë ka katër qendra shëndetësore që janë në dispozicion 24 orë të pacientëve me sindroma gripale.
Mjekët dhe ekspertët e shëndetësisë tregojnë se deri më tani në vendin tonë vazhdon qarkullimi i viruseve të tipit A dhe B të gripit, që fatmirësisht është reduktuar paksa këto ditët e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë