Shendet

“Kush vjen nga Lombardia pas 22 shkurtit të vetëizolohet 2 javë”

Ministria e Shëndetësisë thotë se deri në mesditën e së martës nuk ka të regjistruar asnjë rast me koronavirus në Shqipëri. Por, pavarësisht kësaj, autoritetet thonë se mbeten në gatishmëri, që prej 22 shkurtit kur masat dhe kontrollet në pikat hyrëse të vendit, veçanërisht për udhëtarët që mbërrijnë në vendin tonë nga ato që njihen si zonat e nxehta të koronavirusit.

Njëra prej këtyre zonave është rajoni i Lombardisë në Itali, ku autoritetet vendase kanë vendosur masën e izolimit në një sërë komunash e fshatrash, ku shpërtheu fillimisht virusi që buroi nga Kina.

“Për të gjithë udhëtarët që vinin nga Lombardia nga 22 shkurti e në vazhdim ne kemi këshilluar vetëkarantinim, por jo për të gjithë ata që vinin nga e gjithë Italia”, deklaroi Eugena Tomini, shefe e Epidemologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Tomini doli para mediave ku përsëriti bindjen se sistemi shëndetësor shqiptar ka kapacitetet e plota për të përballuar situatën që mund të shfaqet. Ajo tha se ka një dyfishim të respiratorëve në krahasim me 2011 kur u shfaq gripi i derrit.

Lidhur me boshatisjen e farmacive nga maskat, Tomini tha se Ministria e Shëndetësisë po e ndjek nga afër situatën e krijuar dhe mundësinë që të ketë abuzime në treg. Por, a janë në gjendje institucionet shqiptare që në një rast ekstrem të plotësojnë nevojat e tregut për maska dhe aksesorë të tjerë parandalues të infektimit me koronavirus?

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2266655423628149&id=1403099393317094

Tomini nga ISHP thotë se po. Së pari, ajo sqaroi se maskat nuk këshillohen që të përdoren nga të gjithë, por vetëm në raste kur një person dyshon se është i prekur nga virusi, ose ka simptoma të tij.

Jozyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë thanë se mekanizmat dhe mjetet që ky institucion të ndërhyjë në treg për të furnizuar farmacitë me maska dhe aksesorë të tjerë në këtë periudhë janë të kufizuara. Burimet radhisin si faktor kryesor krizën e përgjithshme që po kalon tregu global i maskave, që prej shpërthimit të epidemisë në Kinë.

“Maska nuk gjenden sot as në farmacitë e Milanos në Itali dhe më shumë se masë mbrojtëse turrja për të blerë ato është tregues i panikut. Qeveria, shëndetësia dhe zyrtarë të tjerë italianë kanë bërë thirrje për qetësi dhe këshilluar gjithashtu sipas rekomandimeve të OBSh-së se maska nuk është domosdoshmëri nëse nuk keni simptoma të koronavirusit”, thonë burimet.

Të njëjtën thirrje e përsëriti në Tiranë Eugena Tomini.

“Përdorimi i maskave duhet të bëhet vetëm kur jeni të sëmurë apo keni kontakte më të sëmurë. Nuk rekomandohet kur nuk jeni të sëmurë apo nuk keni rekomandim mjekësore”, deklaroi në konferencën për mediat zyrtarja e ISHP.

Tomini thotë se analizat kryhen në Laboratorin e Epidemologjisë, që Tomini thotë se është i certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ajo tha se përgjigjet dalin nga 8 deri në 12 orë pas marrjes së mostrave.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi mbrëmë se tetë raste të dyshuara rezultuan negativ, ndërsa gatishmëria është maksimale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë