Futboll

Të gjithë duan Moratën, Interi i bashkohet garës me Romën për sulmuesin spanjoll

Gazeta Si – Tani që pista e Lukakut ka rënë poshtë përfundimisht, emri i Alvaro Moratës figuron edhe në bllokun e Marotës dhe Auzilios. Dhe për këtë sulmues ka dhënë miratimin menjëherë edhe trajneri Simone Inzagi.

Spanjolli, për karakteristikat fizike, teknike dhe taktike, pëlqehet shumë nga trajneri i Interit. Për të njëjtën arsye Moratën e pëlqen shumë edhe trajneri i Romës, Zhoze Mourinjo. Edhe Milani e ka pasur gjithmonë në vemendje këtë lojtar, por nuk ka mundur ta marrë asnjëherë.

Alvaro Morata, kur luante me Juventusin. Gazeta Si, 17 korrik 2023

Morata është gati për nivelet e larta, pikërisht ashtu siç i duhet trajnerit Inzagi, një sulmues me eksperiencë ndërkombëtare, që e njeh mirë edhe Serinë A. Blerja e tij në fakt nuk është e lehtë. Interi ka pasur një kontakt direkt me Atletiko Madrid, si dhe ka kontaktuar njerëzit pranë lojtarit.

Klauzola e që e liron Moratën është 21 milionë euro sipas Atletikos, 12 milionë për njerëzit pranë sulmuesit. Një rebus i vërtetë, ndërkohë që për spanjollin duhet fituar konkurrenca e fortë me Romën, përveç ndonjë ‘kundërsulmi’ të shpejtë të Milanit.

Roma, falë punës së Dibalas dhe presionit të Mourinjos, ka ecur përpara, madje duket një hap larg ‘Po’-së së lojtarit. Interi duhet të kuptojë në këtë pikë se sa mundësi ka që të kënaqë kërkesat e Inzagit. Alternativat e tjera janë Balogun, Taremi dhe Beto.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë