Bota

Të gjakosur dhe të torturuar, 4 autorët e masakrës në Rusi akuzohen për terrorizëm (Foto)

Gazeta Si - Prokuroria ruse ka ngritur aktakuzë ndaj katër burrave, të cilët i akuzon për kryerjen e sulmit në një sallë koncertesh pranë Moskës dhe vrasjen e së paku 137 njerëzve më 22 mars.

Më 24 mars, një gjykatë në Moskë ua caktoi masën e paraburgimit me kohëzgjatje dy muaj katër të akuzuarve për terrorizëm në lidhje me sulmin ndaj sallës së koncerteve pranë Moskës.

Gjykata i zbuloi emrat e të dyshuarave si Murodali Rajabalizoda, Dalerjon Mirzoev, Muhammadsobir Faizov dhe Faridun Shamsiddin, dhe tha se ata janë shtetas të Taxhikistanit.

Tre prej tyre, Mirzoev, Rajabalizoda, dhe Shamsidin, e pranuan fajin për të gjitha akuzat, sipas gjykatës, dërsa të katërt do të mbahen në paraburgim deri në 22 maj.

Faizov u soll para gjykatës më 24 mars drejtpërdrejt nga spitali me një karrocë dhe qëndroi ulur me sy mbyllur gjatë gjithë seancës, raportoi Associated Press. Ai kishte shumë plagë dhe mbikëqyrej nga mjekët edhe në sallë të gjyqit.

Të dyshuarve iu ofruan përkthyes pasi mbërritën në sallën e gjyqit të përgjakur dhe me fytyrë të ënjtur.

Hetuesit e cituan nevojën për ta ruajtur fshehtësinë e hetimeve dhe sigurinë e pjesëmarrësve dhe të afërmve kur kërkuan që seanca dëgjimore të mbahej me dyer të mbyllura.

Gjatë pjesës kur seanca u mbajt me dyert të hapura, u mësua se Mirzoev është i regjistruar në Novosibirsk, Rusi, dhe se është 32 vjeç. Ai është i martuar dhe i ka katër fëmijë.

Rahabalizoda tha se është 30 vjeç, i martuar dhe se ka një fëmijë. Katër të akuzuarit janë në mesin e 11 njerëzve që autoritetet ruse thanë se i arrestuan në lidhje me sulmin e 22 marsit.

E diela ishte ditë zie në gjithë Rusinë për nder të viktimave të këtij sulmi, në të cilin u plagosën më shumë se 180 njerëz gjithashtu.

Grupi i Shtetit Islamik ka marrë përsipër autorësinë e sulmit të së premtes në sallën e koncerteve Crocus, duke postuar edhe video për ta vërtetur këtë.

Por, autoritetet në Rusi pretendojnë përfshirjen e Kievit, dhe kanë sugjeruar pa ofruar prova se Ukraina kishte përgatitur një dritare kalimi në kufirin pranë rajonit të Bryansk, për të mundësuar arratisjen e tyre.

4 personat e armatosur mësynë sallën në periferinë veriore të Moskës, duke qëlluar pa dallim ndaj 6000 njerëzve që po merrnin pjesë në një koncert roku. Agresorët i vunë më pas zjarrin ambjentit, duke shkaktuar shembjen e çatisë së godinës.

Sipas autoriteteve ruse, të paktën 137 persona mbetën të vrarë në sulm dhe mbi 100 të plagosur.    

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë