Politike

Të enjten, Parlamenti zgjedh kryeprokurorin e ri dhe miraton rezolutën antiruse

Të enjten Parlmaenti do të zgjedhë kryeprokurorin e ri të vendit. Kjo është vendosur me urdhrin e kryeparlmaentarit Gramoz Ruçi, i cili ka futur në rendin e ditës një agjendë të ngjeshur për votim në seancë, e ku spikat zgjedhja e kryeprokurorit të ri. Në garë për postin e kryeprokurorit janë tre kandidatët Olsjan Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka dërguar Parlamentin dokumentin mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kryeprokuror ku Çela ka 459 pikë, Arta Marku 406 pikë dhe Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Pas dërgimit të shkresës Parlamenti ka 30 ditë kohë për të zgjedhur kreun e ri të Prokurorisë së Përgjithshme, por se siç duket mazhoranca po nxiton të zgjedhë kryeprokurorin jo të përkohshëm tashmë, edhe pse situata nuk duket e favorshme, për shkak të gjendje së jashtëzakonshme.

Sipas ligjit, kryeprokurori i ri zgjidhet me 84 vota dhe në rast se nuk arrihet një gjë e tillë, atëherë kandidati i renditur i pari në listën e pikëzimit të KLP-së shpallet automatikisht drejtuesi i ri i Prokurorisë së Përgjithshme.

Edhe pse e renditur e dyta, kryeprokurorja aktuale që kërkon një mandat të plotë, Arta Marku pretendon të zgjidhet, duke shpresuar që mazhoranca ta rikonfirmojë sërish atë. Ndërsa Kësilli i Lartë i Prokurorisë ka kërkuar që Parlamenti të ndjekë logjikën e pikëzimit, duke i kërkuar në mënyrë indirekte votimin e Çelës si kandidaturë.

Arta Marku gjatë seancës dëgjimore në KLP, Gazeta Si, 13 nëntor 2019

Marku u zgjodh në detyrë si prokurore e Përgjithshme e Përkohshme dy vite më parë vetëm me votat e socialistëve, pasi opozita asaj kohe e kontestoi zgjedhjen e saj.

Ndërkaq në rendin e ditës, Parlamenti do të votojë rezolutën antiruse për ndërhyrjet në zgjedhje, buxhetin e shtetit 2020, aktin normativ për dhënien e 14 apartamenteve për banorët e dëmtuar nga tërmeti, si dhe shtyrjen e afatit të komisionit hetimor për shkarkimin e presidenitit Ilir Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë