Politike

Të enjten interpelanca/ 14 pyetjet e opozitës për Ramën për lidhjen me ish-agjentin e FBI-së

Gazeta Si - Parlamenti pritet të zhvillojë të enjten (nesër) interpelancën urgjente me kryeministrin Edi Rama e thirrur nga grupi i deputetëve demokratëve të grupimit “Alibeaj” për çështjen që po trondit politikën shqiptare atë hetimeve ndaj ish-zyrtarit të lartë FBI-së, Charles McGonigal.

Ndërkohë që këtë të mërkurë, grupimi tjetër i përfaqësuar nga Berisha ka ndërmarrë një nismë për një mocion me debat me kryeministrin për këtë çështje.

Ata kërkojnë ndryshimin e rendit të ditës në seancë për të patur një debat pa limit kohor. Kjo nismë më e fundit pritet të shoqërohet po me debate, pasi mazhoranca pritet ta zhvlerësojë atë për faktin se kjo çështje e nxehtë do të ezuarohet me interperlancën urgjente të thirrur nga grupimi parlamentar i PD-së që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Janë 14 pyetje që i janë drejtuar Ramës në lidhje me këtë ballafaqim me opozitën për çështjen McGonigal. Veç arsyes së dhënies së lidhjeve me McGonigal, ata kërkojnë që Rama të japë shpejgime nëse pjesë e këtyre bisedimeve ka qenë ose jo sulmi ndaj PD-së, që për to është i stisur, sa i përket financimeve ruse.

Pyetjet e tjera lidhen dhe me natyrën e marrëdhënieve të këshilltarit të Ramës, Dorian Duçka dhe pse qeveria shqiptare i ka dhënë koncesione dhe statusin e investitorit strategjik oligarkut rus, Oleg Deripaska, pas vendosjes së sanksioneve amerikane?

14 pyetjet e “Alibeajt” për kryeministrin Rama

Kush janë personat, të cilët kanë qenë në katër takimet, e cituara në akt-padi? Çfarë është diskutuar gjatë këtyre takimeve?

Si e takoi Kryeministri, zyrtarin e larte te FBI-se, si një person privat që kishte ardhur jashtë funksionit apo si një person i dërguar nga FBI?

Nëse e ka takuar si person privat, përse ka diskutuar me të çështje që lidhen me koncesionet e naftës?

A ka qenë pjesë e këtyre bisedimeve sulmi i stisur ndaj Partisë Demokratike për financime ruse?

Si shpjegohet që menjëherë pas takimeve me Kryeministrin agjentit të FBI-se i janë paguar 225.000 dollarë?

Si shpjegohet që menjëherë pas takimeve me Kryeministrin, agjenti i FBI-së inicion hetimin penal për lobistin amerikan të Partisë Demokratike?

A mundet Kryeministri të provojë se Agron Neza nuk ka vepruar i porositur prej tij, kur ka deklaruar se kishte informacion mbi lobistin e Partisë Demokratike, të marrë nga zyra e Kryeministrit shqiptar?

Kush janë funksionaret e zyrës së Kryeministrit që kane dërguar të dhëna dhe informacione për fillimin e kësaj çështjeje penale?

Cili ishte burimi i drejtuesve të Partisë Socialiste që flisnin për një çështje penale ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike, ndërkohë që çështja ishte nën hetim dhe mbulohej nga sekreti hetimor?

Çfarë natyre kanë pasur marrëdhëniet e Kryeministrit me Z. Dorian Duçka?

Cila është arsyeja qe ky shtetas është pajisur me pasaporte diplomatike dhe me një email qeveritar në një kohe që ishte i angazhuar në një aktivitet privat?

Pse qeveria shqiptare ka shkelur ligjin për t' i dhënë koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse një kompanie të lidhur me Z. Neza dhe Z.McGonigal?

Pse qeveria shqiptare i ka dhënë koncesione dhe statusin e investitorit strategjik oligarkut rus, Oleg Deripaska, pas vendosjes së sanksioneve amerikane?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë