Politike

Ish-zyrtari i FBI-së bën lëmsh opozitën në betejën kundër Ramës

Gazeta Si - Çështja e hetimit të ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal në SHBA dhe vizitat në Shqipëri dhe takimet e tij me kryeministrin Edi Rama, po trazojnë prej ditësh politikën shqiptare.

Opozita ka gjetur një kauzë të fortë për nisur betejën për rrëzimin e Ramës nga qeveria dhe ku si hap i parë është organizimi i protestës më 11 shkurt përpara kryeministrisë.

Por opozita e ndarë në dy kampe nuk është ndaluar vetëm me kaq. Mes grupimeve “Alibeaj” dhe “Berisha” ka pasur dy lëvizje, nisma me të njëjtën qëllim që synojnë ta ngrejë këtë çështje të hetimit amerikan në foltoren e Parlamentit shqiptar.

Grupimi “Alibeaj” ka depozituar kërkesën për mbajtjen e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama.

Nisma është pranuar dhe interpelanca do të zhvillohet të në seancën parlamentare të së enjtes, ku Rama pritet ti përgjigjet 14 pyetjeve në lidhje me atë që opozita e cilëson si skandal çështjen “McGoniga”l.

Përballë këtij zhvillimi, Berisha, si kundërpërgjigje ndaj lëvizjes së grupimit “Alibeaj”, depozitoi kërkesën me firmën e 12 deputetëve për të hequr nga rendi i ditës interpelancën e Ramës dhe të zhvillohet një mocion me debat për këtë çështje.

Pikërisht kjo lëvizje tregon edhe garën brenda Berishës me grupimin “Alibeaj”, për të marrë kauzën e re të opozitës.

Nëse interpelanca zhvillohet nesër, mbështetësit e tij nuk do të kenë mundësinë që të diskutojnë mbi atë që e cilëson si skandalin më të madh të kryeministrit Edi Rama.

Dhe kjo është arsyeja se pse kërkohet ndryshimi i rendit të ditës, duke kërkuar që konferenca e kryetarëve t’i japë të drejtën çdo deputeti të flasë pa limit.

Në seancën e së enjtes, pritet të ketë jo pak përplasje brenda demokratëve të dy kampeve nëse do të ketë një interpelancë apo mocion me debat.

Ndërkohë, që në seancë pritet të mos jetë vetë i pranishëm Sali Berisha, pasi është përjashtuar me 10 ditë, së bashku me Belind Këlliçin, Flamur Nokën, Edmond Spahon dhe Edi Palokën për shkak të bllokimit të seancës së kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë