Lajme

Të dielën maratona “Një hap për Durrësin”, bllokohen disa rrugë

Bashkia e Durrësit njofton të gjithë qytetarët se ditën e diel më datë 23 shkurt do të zhvillohet aktiviteti “Një hap për Durrësin”.

“Një Hap për Durrësin” është një vrapim sensibilizues dhe jo një garë e mirëfilltë.

Kjo iniciativë është marrë nga sportistja durrsake, Deborah Keçi, dhe të ardhurat e mbledhura nga regjistrimet nga ky event sportiv do të shkojnë për rregullimin e shkollës 9-vjeçare “Njazi Mastori” në Sukth.

Sportistja ka ftuar këdo për t’iu bashkuar kauzës për një ditë ndryshe në Durrës, qytet i cili u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Aktiviteti do të zhvillohet pranë sheshit “Liria” në Durrës, aty ku dhe do të startojë vrapimi.

Bashkia thotë se për shkak të marshimit sensibilizues me një itinerar prej 5 km, por edhe për arsye sigurie, shumë rrugë do të bllokohen prej orës 9:30-11:00.

Rrugët që do të bllokohen:  Sheshi “Liria”, Bulevardi “Dyrrah”, Rruga “Hafiz Podgorica”, Rruga e “Dëshmorëve” Rruga “A.Goga”, Bulevardi “Epidamn”, Rruga “Anastas Durrsaku”, Rruga “Epikateve”, Rruga “Taulantia”, Hyrja nr.1 e portit (hyrja kryesore), Dalja nr. 2 në Port.

Eventi do të nisë në orën 9:30 ku do të bëhet dhe ceremonia e hapjes pranë pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe do të vijojë më pas me garën dhe pas saj ceremonia e shpalljes së fituesve.

Në vijim, prej orës 11:30 me përfundimin e ceremonisë së fituesve e deri në 13:30, Durrësi do të ndizet nga koncerti me muzikë live. “Një Hap për Durrësin” është një vrapim sensibilizues dhe jo një garë e mirëfilltë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë