Lajme

Të dhënat personale, PD kallëzim penal për Ramën, Nikollën, Manastirliun: Të pezullohen nga detyra

Disa ditë pasi Ministria e Arsimit u tërhoq nga vendimi për t’u kërkuar nxënësve ID dhe e-mail-in e prindërve, PD ka depozituar në prokurori kallëzim penal ndaj Kryeministrit Rama, ministres së Arsimit, Lindita Nikolla dhe ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për shpërdorim detyre dhe njëkohësisht ka kërkuar pezullimin e tyre nga detyra pasi mund të prishin provat e hetimit.

Deputetja e PD, Albana Vokshi theksoi se kërkesa për marrjen e të dhënave personale të prindërve të nxënësve të të gjitha shkollave, që përbëjnë më shumë së 70 përqind të të gjithë qytetarëve të vendit dhe kërkesa për të marrë numrin e kartës së shëndetit të qytetarëve është shkelje ligjore dhe veprim antikushtetues sipas nenit 35 të Kushtetutës që thotë:

“1. Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij.

2. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.

3.Kushdo ka të drejtë të njihet me të dhënat e mbledhura rreth tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.

4. Kushdo ka të drejtë të kërkojë ndreqjen ose fshirjen e të dhënave të pavërteta ose të paplota ose të mbledhura në kundërshtim me ligjin”.

Sipas Vokshit, kërkesa e tyre “hedh në koshin e plehrave” edhe një prej rekomandimeve të OSBE-ODIHR, i cili thotë se i duhet dhënë fund abuzimit me burimet shtetërore.

“Me kërkesën drejtuar shkollave dhe qendrave shëndetësore ne vend, Rama dhe dy ministret po ushtrojnë funksionin e tyre politik për arsye elektorale, për këtë arsye kërkojmë pezullimin e tyre nga detyra”- tha deputetja demokrate Albana Vokshi.

Sipas Vokshit, tërheqja e dy ministreve nga kërkesat e tye është tregues i paligjshmërisë.

Më herët, MAS u tërhoq nga kërkesa, duke sqaruar se këto të dhëna do të shërbenin për krijimin e një rrjeti në kohë reale me prindërit dhe për të rritur transparencën e stafeve në shkolla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë