Lajme

Të dënuarit akuzojnë se janë dhunuar në burgun e Peqinit, Avokati i Popullit nis hetimet

Avokati i Popullit ka nisur hetimin administrativ në burgun e Peqinit pas publikimit të pretendimeve të dy të dënuarve, të cilët akuzojnë policinë e këtij burgu për dhunë.

Denoncimi është përcjellë në emisionin “Stop” ditën e hënë.

“Rasti i regjistrimit të bisedës telefonike së një të dënuari me një familjar, ku dëgjohet se ai keqtrajtohet brenda qelisë në IEVP Peqin, në lidhje me këtë rast dhe mbi bazën e ankimit të shtetases V. M., e cila pretendon se ndaj djalit dhe nipit të saj, L.K dhe R. K, është ushtruar dhunë fizike nga punonjës të policisë së IEVP Peqin, nga institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimi administrativ”, thotë Avokati i Popullit.

Ky institucion thotë se më 24 dhjetor 2019 ka kryer një sërë veprimesh hetimore në burgun e Peqinit, që nga marrja e deklarimeve me shkrim të personave të dënuar që u ankuan për dhunë, këqyrja e librit të hyrje-daljeve të të dënuarve në godinën e veçimit dhe dokumentacione të tjera të nevojshme për hetimin.

Veç këtyre veprimeve, Avokati i Popullit thotë se i ka dërguar një kërkesë për informacion Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në burgun e Peqinit si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Bubrgjeve për të administruar pamjet e kamerave të sigurisë në këtë institucion.

“Pas administrimit të të gjithë dokumentacionit do të dalim me përfundimet dhe gjetjet përkatëse”, thotë Avokati i Popullit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë