Lajme

Të dënuar me burg përjetë, Policia publikon 3 emrat e tjerë

Policia e Shtetit ka publikuar emrat dhe fotot e 3 personave të radhës që bëjnë pjesë në listën e 50 personave më të kërkuar në Shqipëri.

Bëhet fjalë për të dënuarin me burg përjetë Barjam Boci.

Siç njofton policia,  më 24 qershor 2015, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, gjatë një operacioni policor është vrarë me armë zjarri punonjësi i Policisë së Shtetit I. B., si dhe janë plagosur punonjësit J. I. dhe P. H.

Barjam Boci ka qenë pjesë e grupit që ka qëlluar në drejtim të Policisë.

Barjam Boci është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje në rrethana cilësuese” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

I dënuari tjetër me burg përjetë është Alban Baftjari. Policia thotë se më 7 mars 2001, në fshatin Shetel, Shijak, Durrës, Alban Baftjari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shkuar në orët e vona të mbrëmjes, në banesën e shtetasit Xh. B., për të vjedhur dhe ka plagosur rëndë shtetaset Sh. B., S. B. dhe shtetasin Xh. B., i cili për pasojë ka gjetur vdekjen. Alban Baftjari është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale "Vjedhja me pasojë vdekjen, në bashkëpunim” dhe "Armëmbajtja pa leje".

Dhe i fundit është i dënuari me burg përjetë Jashar Begani (Begami).

Më 21 korrik 1997, në zonën e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë, Jashar Begani (Begami) ka vrarë shtetaset A. L. (B.) dhe Z. K. Jashar Begani (Begami) është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë