Futboll

Të çmendur pas “Air Albania Stadium”, ndeshje dy ditë radhazi

Stadiumi i ri “Air Albania” nuk po arrin ta marrë veten nga ndeshjet e shumta që po zhvillohen në të që pas inaugurimit të tij. Klubet e Superiores duket se janë fiksuar keq me këtë stadium dhe dëshirojnë që çdo ndeshje të luajnë aty. Përveç Tiranës, që ka luajtur më shumë ndeshje në impiantin e ri edhe pse e ka gati “Selman Stërmasi”, edhe Kukësi dhe Partizani, dy skuadra pa “shtëpi” aktualisht, duan të luajnë rregullisht në “Air Albania”.

Të premten Kukësi pret Tiranën në këtë stadium dhe kjo është kryendeshja e kësaj jave në Superiore, ndaj dhe ia vlen, por edhe Partizani, që pret Bylisin, ka vendosur të luajë në të njëjtën fushë një ditë më pas. Nuk ka asgjë të keqe për klubet, që duan të kenë sa më shumë tifozë dhe stadiumi i ri i josh, por ajo që e pëson në këtë situatë është fusha, që ka pasur probleme gjatë gjithë kohës, madje që në inaugurimin e saj. Nëse do të vazhdohet me këtë ritëm ndeshjesh, duke luajtur dy ditë radhazi, tapeti rrezikon të dëmtohet seriozisht.

Për Kukësin dhe Tiranën fusha do të jetë në rregull, sepse ka pasur kohë që të rregullohet nga punonjësit e mirëmbajtjes së stadiumit, kurse për Partizanin dhe Bylisin pritet që tapeti i “Air Albania Stadium” të jetë në një gjendje jo të mirë. Gjithsesi, tashmë është vendosur zyrtarisht që këto dy ndeshje të Superiores të zhvillohen në stadiumin e ri, që duket se i ka bërë të gjithë për vete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë