Politike

Balla, ministri i rokadës në polici apo i protagonizmit?!

Të shtunën, ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi një takim me strukturat drejtuese të Policisë së Durrësit, ku edhe aty, (si në takimet e tjera) nuk munguan kritikat.

Balla kërkoi që kryesisht punonjësit e Qarkullimit Rrugor të kenë etikë dhe ndëshkimi të mos jetë qëllim në punën e tyre.

Ministri i Brendshëm ka theksuar se "Policia Rrugore nuk është gjahtare shkelësish".

LEXO EDHE:
Ndryshime në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, 6 emra të rinj

Lufta kundër kultivimit të narkotikëve mbetet një tjetër prioritet, theksoi ministri Balla nga Durrësi.

Më herët, nga Shkodra dhe më pas Lezha, ministri i Brendshëm kërkoi të merren të gjitha masat që i takojnë Policisë, për mbarëvajtjen e sezonit turistik, të intensifikohet puna për goditjen e grupeve kriminale dhe pastrimin e alpeve e zonave të thella, nga kultivimi i lëndëve narkotike.

Gjithashtu ai theksoi se strukturat e Policisë duhet të kenë vëmendje më të shtuar edhe ndaj ndërtimeve pa leje, sidomos në qendrat urbane dhe zonat turistike.

Edhe në ditën e parë të fillimit të detyrës, Balla e kish të qartë objektivin e punës së vet, Policia.

Edhe në fjalimin hapës si ministër ai nuk kurseu kritika për policinë dhe punën e saj kryesisht në luftën ndaj krimit.

Balla paralajmëroi se nuk do të jetë ministri që do të merret me ndërrime emrash, por puna në terren në një kohë kaq të shkurtër (qysh prej emërimit) tregon të kundërtën. Nëse nuk ka rezultate konkrete siç ai po përpiqet të evidentojë, përgjegjësi mban ai me detyrën më të lartë

Tani, ose ministri Balla po synon pikërisht këtë gjë; të bëjë rrokadë në polici sa kohë që kupola drejtuese ka vijuar me një bilanc që ai po e kritikon dita ditës, ose e gjitha kjo pastaj është thjesht një protagonizëm i tij në mungesë të rezultateve konkrete që (deri më tash) nuk i kemi parë nga kjo ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë