Taksa

Tatimet në SHBA nisin hetim për AADF, Fondacionin që do të menaxhojë Butrintin: Nuk deklaroi taksat

Nga Gazeta 'SI' - Administrata Tatimore e SHBA-së, (IRS), do të nisë një investigim për Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, AADF, që do të marrë me koncesion administrimin e parkut të Butrintit.

Në një njoftim në faqen zyrtare, IRS shkruan se fillimisht ka vendosur t'i heqë Fondacionit statusin e përjashtimit nga taksat dhe më tej do të vijojë me hetimin. Arsyeja e këtij vendimi është se AADF nuk ka deklaruar taksat për 3 vite rresht.

“Statusi i përjashtimit të kësaj organizate u revokua automatikisht nga IRS për dështimin e paraqitjes së formularit 990, 990-EZ, 990-N ose 990-PF për 3 vjet rresht. Tashmë kjo organizatë do t’i nënshtrohet hetimit të mëtejshëm financiar të sigurt” shkruan Administrata Tatimore Amerikane në njoftim.

Fondacioni e përfitoi këtë status në vitin 2011, pasi cilësohet si një organizatë jo fitimprurëse.

AADF ka qenë në fokus të debateve politike në vend, pasi dakordësoi një marrëveshje me qeverinë shqiptare, për të marrë në menaxhim parkun e Butrintit. Marrëveshja u shoqërua me akuza nga opozita dhe ekspertë të fushës, se po shkatërrohet një zonë e mbrojtur e vendit.

Momentalisht koncesioni po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese për shkelje.

Sipas ligjit të miratuar, fondacioni do të investojë rreth 7 mln dollarë në Butrint. Megjithatë, nga opozita kanë akuzuar se për 10 vite, Butrinti do të gjenerojë të paktën 50 mln dollarë të ardhura për fondacionin, ndërsa koncesioni i hap rrugë ndërtimit të hoteleve dhe resorteve në zonën e mbrojtur.

UNESCO ka kritikuar autoritetet shqiptare tetorin e vitit të shkuar, për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtare të Butrintit pa venë në dijeni UNESCON dhe për mos sigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit siç kanë kërkuar misionet e mëparshme të organizatës botërore që kanë monitoruar Butrintin.

AADF drejtohet nga sipërmarrësi Michael Granoff, ndërkohë në Bordin drejtues përfshihet dhe Richard Hodges, profesor dhe arkeolog anglez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë