Taksa

Tatimet i trefishuan rimbursimet e TVSH-së për 7 mujorin

Rreth 16 mld lekë u autorizuan për rimbursim TVSH-je gjatë 7 mujorit të këtij viti nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kjo shumë ishte tre herë më e lartë se fakti i vitit 2020.

Ministria e Financave njoftoi se gjatë 7 mujorit rimbursimi i TVSH ishte 5 miliardë lekë ose 45% më i lartë se plani i periudhës. Gjithashtu ky tregues ishte edhe 65% më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2019, i cili ishte viti normal para pandemisë.

 Për periudhën 7-mujore, të ardhurat nga TVSH në import ishin 68.3 miliardë lekë ose 26.4% më shumë se një vit më parë, si dhe 4.9 miliardë ose 7.8% më shumë se plani për 7 mujorin 2021.

Sipas Ministrisë Financave ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në realizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar për shkak të zhdoganimeve me çmime dhe sasi më të larta karburanteve, automjeteve të përdorura, metaleve bazë dhe artikujt prej tyre, veshje dhe tekstile, dhe materialet e ndërtimit, të cilat kanë një kontribut pozitiv +6.9 miliardë lekë.

TVSH e arkëtuar nga tatimet (bruto), u realizua në masën 31.7 miliardë lekë ose 29.1% më shumë se 7- mujori 2020, si dhe 2.8 miliardë ose 9.6% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2021. Sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 7- mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit.

Në fund të vitit 2020 Ministria e Financave raportoi 9,7 miliardë lekë detyrime të prapambetura në zërin “Nga rimbursimi i TVSH”-së. Deri në muajin mars 2021 këto detyrime u përgjysmuan dhe tani pothuajse janë shuar të gjitha.

Shlyerjet e larta e kanë ndikuar pozitivisht detyrimet e prapambetura, ku historikisht TVSH e parimbursuar kishte rreth 30% të peshës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë