Taksa

Tatimet: Deklarata e TVSH-së dhe librave të shit-blerjes do të kryhen në e-filing

Drejtoria e Tatimeve ka rikujtuar tatimpaguesit subjekt i TVSH-së, se dorëzimi i Deklaratës së TVSH-së dhe librave të Shitjes dhe Blerjes do të vijojë të kryhet nëpërmjet llogarisë së deklarimit elektronik në e-filing edhe për periudhën Gusht 2021.

Plotësimi i rubrikave përkatëse do të kryhet manualisht, sipas llojit të transaksioneve, duke përfshirë në to të dhënat e faturave të fiskalizuara dhe atyre të lëshuara nga blloku i dokumentacionit tatimor.

“Risjellim në vëmendje të tatimpaguesve se afati për fiskalizimin e transaksioneve pa para në dorë B2B ishte data 1 Korrik 2021 dhe duhet të marrin masa të menjëhershme për të plotësuar kërkesat e nevojshme, ndërkohë që po afron data 1 Shtator, e cila është afati i Fiskalizimit edhe të transaksioneve me para në dorë”, thuhet në njoftimin e tatimeve.

Në 1 korrik hyri në fuqi faza e dytë e fiskalizimit, për transaksionet pa para në dorë mes tatimpaguesve. Teksa gati gjysma e 34 mijë subjekteve që duhet të zbatonin këtë fazë nuk e kishin nisur ende procesin Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaroi se përdorimi i dokumentacionit tatimor ekzistues do të vijojë deri në datën 31.08.2021. Tërheqja e këtij dokumentacioni nga tatimpaguesit, pranë Drejtorive Rajonale, ku ata janë të regjistruar, do të mund të kryhet deri në datën 15.08.2021.

Në një njoftim të mëparshëm, tatimet nxitën tatimpaguesit, që kryejnë transaksione shitjeje pa para në dorë kundrejt tatimpaguesve të tjerë dhe nuk e kanë përshtatur (krijuar) ende infrastrukturën e nevojshme për procesin e Fiskalizimit, të kryejnë menjëherë procedurat e duhura, pasi me hyrjen në fuqi të fazës së dytë të Fiskalizimit, prej datës 1 korrik 2021, kanë detyrimin ligjor për t’i fiskalizuar këto transaksione.

Këta tatimpagues do të do të vijojnë të përdorin dokumentacion tatimor të shpërndarë nga DRT e juridiksionit dhe do të asistohen nga punonjësit e administratës tatimore në vendushtrimin e aktivitetit, me qëllim plotësimin e detyrimeve ligjore gjatë periudhës të parashikuar nga Akti Normativ Nr. 27, datë 01.07.2021 “Për një shtesë në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Të gjithë tatimpaguesit, të cilët rezultojnë me zbatim efektiv të procesit të fiskalizimit do të lëshojnë vetëm fatura të fiskalizura, por nëse do të kenë probleme teknike, të parashikuara nga Udhëzimi Nr. 16, datë 3.4. 2020 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, do të pajisen me dokumentacion tatimor në DRT e juridiksionit.

Tatimet bëjnë të ditur se, për efekt të njohjes së shpenzimeve, faturat tatimore të lëshuara në zbatim të Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, si dhe Ligjit Nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, do të vijojnë të njihen për rastet kur zbatimi i procesit i fiskalizimit nuk është zbatuar për shkaqe të pavarura nga tatimpaguesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë