Arsim

Tarifat studentore, dy qëndrimet e reja të Edi Ramës

Mentor Kasa - Brenda pak orësh Kryeministri Edi Rama ka shfaqur në rrjetet sociale dy qëndrime në mos kundërshtuese, të ndryshme sa i takon protestës studentore për uljen e tarifës së shkollimit dhe të asaj për kreditet për provimet e mbartura.

Në kulmin e protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, Kryeministri shfaqej i vendosur për të mos lëshuar pe dhe për të aplikuar tarifën e vendosur për kreditet e lëndëve të mbartura, që shkojnë nga 640 lekë të reja për sistemin “Bachelor” deri në 1800 lekë të reja për atë “Master”, qoftë profesional apo shkencore.

Kreu i Qeverisë shfrytëzoi komentet e ndjekësve të tij në Facebook në një postim për ecurinë e punimeve në “Rrugën e Arbrit” për të bërë publik qëndrimin e tij.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10156288640056523

“A jeni ju dakord që t'i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentët ngelës? Unë për vete nuk jam dakord e para dhe e dyta, nuk ka asnjërritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vetë universiteti sa për dijeni, quhet autonomi universitare), po ka zhurmë kazanesh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi, si edhe këmbëngulje nga një pakicë për të mos pranuar zbatimin e reformës që e nxjerr universitetin nga bataku shumëvjeçar”, i përgjigjet Kryeministri përmes llogarisë së tij një komentuesi.

Kryeministri ka të drejtë kur thotë se tarifat nuk i vendos qeveria, por vetë universitetet në bazë të ligjit për arsimin e lartë. Por, studentët protestues deklaronin se në universitete u është thënë se tarifat janë vendosur në bazë të një VKM-je të Këshillit të Ministrave.

Në mbrëmje, Rama iu rikthye kësaj VKM-je dhe përmes një tjetër rrjeti social thotë se VKM-ja e miratuar nuk është për këtë vit, por për vitin tjetër.

“Thjesht e vërteta: 1.Tarifat s'i përcakton ministria po universiteti 2. Asnjë tarifë s'është rritur nga 2014 3.VKM për tarifën e mbetësve është kërkuar nga universitetet 4. Efekti i VKM nis vitin tjetër 5. Ministrja u ka sugjeruar sot universiteteve të konsiderojnë rishikimin e VKM”, shkruan në Twitter shefi i Qeverisë.

https://twitter.com/ediramaal/status/1070345510949740545

Sipas këtij postimi të Kryeministrit, jo vetëm që VKM-ja në fjalë hyn në fuqi vitin tjetër, por vetë universitetet kanë të drejtë të rishikojnë një vendim të Këshillit të Ministrave. Pra, një vendim qeverie mund të interpretohet e ndryshohet nga vetë drejtuesit e universiteteve, kur dihet që fare thjesht VKM-të mund të shqyrtohen ose ndryshohen nga vetë Qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë