Kosova

Targat, digjen makina dhe paralajmërohen barrikada në Veri

Ndërsa Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, paralajmëroi bllokimin e rrugëve në veri nëse Kosova ndërmerr veprime për konfiskimin e makinave me targa serbe, autoritetet në Prishtinë thanë se Serbia po kërcënon me dhunë vetëm pse Kosova po zbaton ligjin.

Reagimi i Kosovës erdhi pasi Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, në veri janë djegur tre makina që kanë konvertuar targat e tyre nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se do të përdorin të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore për të rezistuar 

Kjo ministri fajësoi “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente, pa specifikuar se për cilat grupe bëhet fjalë.

“Këto grupe ilegale ekstremiste tashmë nuk kufizohen vetëm në shkelje të sovranitetit në veri, por ata shtypin qytetarët dhe vullnetin e tyre dhe kjo është bërë pengesë për jetën e përditshme të qytetarëve tanë atje, të cilët çfarëdo pajtueshmërie të qytetarëve për t’u legalizuar në jetën e përditshme i përgjigjen me presione, kërcënime, dhunë dhe sulme”, tha ajo.

Gishtin drejt strukturave ilegale e drejtoi edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila gjatë një konference për media tha se serbët “po frikësohen”  në mënyrë që të mos i marrin targat.

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, shtoi Osmani.

Osmani shtoi se Serbia po kërcënon me dhunë për shkak se Kosova po zbaton ligjin

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkohë më 27 tetor u bëri thirrje sërish serbëve në Kosovë që të riregjistrojnë makinat e tyre.

Takimi mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vjen pesë ditë para se të skadojë afati për riregjistrimin e makinave në Kosovë. Pas këtij takimi, Serbia mbajti mbledhjen e Sigurisë Kombëtare.

Pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiç deklaroi se do të mbeten në përdorin targat KM (Mitrovicë e Kosovës). Ai po ashtu paralajmëroi se populli serb do të bëjë "rezistencë" nëse Kosova pamundëson lëvizjen me targa të lëshuara nga Serbia.

Njoftime të vendosura në një makinë në Mitrovicë të Veriut ku shkruan "Nuk ka dorëzim, KM-ja mbetet". 1 shtator 2022.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët serbë në veri të Kosovës, mund të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS.

Besohet se afër 10.000 makina qarkullojnë në veri të Kosovës, e të cilat kanë targa të lëshuara nga Serbia me akronime serbe të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme.

Qeveria e Kosovës ka thënë se pas 31 tetorit këto makina nuk do të mund të qarkullojnë e as të kalojnë kufirin.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet. Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të shtyjë afatin për riregjistrim për 10 muaj.

Tensionet etnike u ndezën në Kosovën veriore muajin e kaluar pas një vendimi të diskutueshëm për t'u kërkuar serbëve që të fillojnë të përdorin targat e lëshuara nga qeveria në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 25 tetor se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë