Kosova

BE: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për targat

Bashkimi Europian edhe një herë ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të çojnë deri te përshkallëzimi i situatës dhe se blloku europian me partnerët po vazhdon intensivisht punën për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.

Kështu deklaroi për mediat Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara.

Siç kemi thënë, ato duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës”, tha Stano më 27 tetor.

Ky qëndrim i BE-së vjen disa orë pasi nga Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë - dhe Serbia paralajmëruan për vendosjen e barrikadave, nëse Kosova, pas 31 tetorit do të konfiskojë targat apo makinat e serbëve.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Stano, tensionet do të ishin në kundërshtim me interesat e njerëzve dhe të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë.

“Ato kanë shprehur si prioritet afrimin me BE-në dhe me krijimin e tensioneve, me pamundësinë për t’i zgjidhur çështjet, duke mos folur me njëra-tjetrën, duke mos pasur gatishmëri për kompromis, ju nuk i arrini këto qëllime dhe e dëmtoni popullin tuaj.

Pra, mesazhi ynë është i njëjti, duhet të jemi konstruktivë dhe të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura dhe të përmbahemi nga veprimet e njëanshme që çojnë deri te përshkallëzimi. Kemi nevojë për të kundërtën, për ulje të tensioneve dhe progres”, është shprehur ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë