Futboll

Tare: Si një film horror, të mbyllim sezonin dhe për ata që humbën jetën

"A po flitet edhe te Lacio për shkurtimin e pagave? Jo, akoma jo. Duhet ta mendojmë mirë. Lojtarët janë në kontakte mes tyre, por ende nuk janë shprehur, por mund të imagjinojmë se së shpejti do të ndodhë e njëjta gjë edhe me ne”, - thotë fillimisht drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, në një intervistë për “Sport1”.

Më tej, drejtuesi shqiptar i klubit italian ndalet te situata në vendin fqinj: "Më duket sikur po shikoj një film horror. Kam mbetur pa fajlë kur kam parë kamionët ushtarakë të transportonin arkivolet me personat që kanë humbur jetën. Në fillim ndoshta u mor pak lehtë, ndërsa tani po flitet për një luftë. Është vërtet një shkatërrim për Italinë".

Tare është pyetur edhe për mundësitë e rifillimit të ndeshjeve të kampionatit. "Sezoni duhet të mbyllet, për respekt të atyre që kanë humbur jetën dhe për respekt të tifozëve. Por nuk është momenti i duhur tani për të vendosur, nëse do të anulohet kampionati. Numri i personave të infektuar nga Koronavirusi po fillon të ulet dhe të anulojmë sezonin nuk do të ishte e drejtë", - ka përfunduar Tare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë