Futboll

Tare nis fushatën e rinovimeve, do të blindojë ”xhevahiret” e Lacios

Për sa u takon blerjeve apo shitjeve të mundshme në verë, situata është komplikuar jo pak nga pandemia e Koronavirusit, por Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, është nga ata njerëz që di ta shfrytëzojë kohën gjithmonë. Ai ka nisur bashkë me presidentin Lotito fushatën e rinovimeve me titullarët e Lacios, që nga Tomas Strakosha e deri te Çiro Imobile.

Drejtuesi shqiptar i klubit lacial, duke parë edhe interesimin e ekipeve të mëdha europiane për disa lojtarë të Lacios, ka bërë gati së pari rinovimin për Luis Alberton. “Farit” të mesfushës së Lacios i është propozuar një kontratë deri në fund të vitit 2025. Spanjolli është një lojtar thelbësor për Lacion dhe Tare synon ta “blindojë” tani, duke detyruar çdo klub që dëshiron të blejë në të ardhmen, të paguajë një shumë të majme. Sezoni i shkëlqyer që Luis Alberto po bën me Lacion, e ka vënë atë në vitrinë dhe zërat e merkatos flasin për një kthim të mundshëm në Spanjë apo një kalim në Angli, ku më i interesuar duket Liverpuli.

Luis Alberto, Tomas Strakosha dhe Stefan Radu. Gazeta Si, 24 mars 2020

Luliç dhe Parolo janë dy lojtarë të tjerë, të cilët Tare nuk dëshiron t’i lëshojë kollaj, pavarësisht moshës së madhe. Të dyve u është propozuar një kontratë deri në fund të vitit 2021. Sulmuesit Çiro Imobile i është ofruar një kontratë deri në fund të vitit 2023. Për golashënuesin më të mirë të Serisë A, kontrata e re parashikon 4 milionë në sezon, përveç bonuseve. Edhe Imobile, ashtu si Luis Alberto, është ndër më të kërkuarit në treg.

Pa dyshim që në listën e rinovimeve është edhe portieri kuqezi, Tomas Strakosha, i cili sapo ka mbushur 25 vjeç. Gjithmonë në listën e disa klubeve angleze si përforcim i mundshëm, Strakosha është nga lojtarët, nga shitja e të cilit Lacio mund të përfitojë jo pak financiarisht. Megjithatë, ai është gjithashtu një pikë kyçe në projektin e trajnerit Inzagi dhe klubi ka gati rinovimin edhe për të. Lacio është në garë për titullin kampion dhe një sukses i mundshëm do të hapte “oreksin” për një ekip edhe më kompetitiv, që do të thotë se grupi aktual duhet të forcohet më shumë dhe jo të dobësohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë