Futboll

Tare do Muriqin te Lacio, sulmuesi i Kosovës kushton 20 milionë euro

Interesi është reciprok dhe kjo është një pikë shumë e fortë për nisjen e bisedimeve për një transferim në merkato. Lacio, sipas "Gazzetta dello Sport", ka në plane Vedat Muriqin, sulmuesin kosovar të datëlindjes 1994 që luan me Fenerbahçen. Drejtori sportiv Igli Tare është i bindur se është ai lojtari i duhur për të kompletuar sulmin e Lacios për sezonin e ardhshëm, kur skuadra e drejtuar nga trajneri Inzagi do të luajë në Champions League, sipas të gjitha gjasave.

Fenerbahçe është në vend të shtatë në kampionat, por Muriqi është një ndër lojtarët e paktë që po zhvillon një sezon pozitiv, me 13 gola në 25 ndeshje. Kosovari është i treti në listën e shënuesve më të mirë të kampionatit turk. Muriqi është mëngjarash dhe falë parametrave fizikë, 194 centimetra i gjatë, forcën ka karakteristikën kryesore në lojën e tij. Është një sulmues i parë klasik dhe kjo është arsyeja pse blerja e tij do t’i kushtonte Igli Tares 20 milionë euro. Ardhja e mundshme e tij do të mbyllte pistën e Zhiru, afër Lacios gjatë merkatos së dimrit.

https://youtu.be/i8DBqrpMAHY
Momente nga loja dhe golat e Muriqit me Fenerbahçen. Gazeta Si, 1 prill 2020

Vedat Muriqi shpërtheu sezonin 2015-16, kur luante në divizionin e parë turk me Giresunspor. Shënoi 17 gola në 33 ndeshje dhe u kërkua nga Psv dhe Fulham, por klubi i tij nuk u bind dhe më pas kosovari luajti për Gençlerbirligi dhe Rizespor, ndërsa korrikun e kaluar kaloi te Fenerbahçe për 3.5 milionë euro. Muriqi është gati për hapin e madh, të luajë në një nga kampionatet më të fortë në Europë. Xhani Lozito dhee Emanuele Kurto janë agjentët që kanë marrë mandatin nga prokuratori i sulmuesit, Haluk Cantar, që të hyjnë në bisedime me klubet italiane.

"Muriqi është një futbollist që në Itali u pëlqen shumë skuadrave dhe ato na kanë kontaktuar. Prioriteti i lojtarit është të luajë në Serinë A, do të provohet në kampionatin tonë për të treguar sa vlen, por edhe për lidhjen që kanë Shqipëria dhe Kosova me Italinë", - ka thënë njëri nga agjentët italianë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë