Njerez

“Tapë me vodka me Kim Jong Un”, Rodman rrëfen udhëtimin në Kore

Ndërsa të pasionuarit e basketbollit e rishohin në aksion me mitikët Çikago Bulls të Majkëll Xhordan në seritë e "The Last Dance", Denis Rodman vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes me bëmat e tij në të kaluarën. Në podkastin "Hotboxin" të Majk Tajson, 58-vjeçari, ish-kampion i NBA-së, rrëfen udhëtimin e çuditshëm në Korenë e Veriut, në vitin 2013.

"Kur më thanë se do të shkojë në Korenë e Veriut, mendova se do të firmosja ndonjë autograf dhe do të luaja ndonjë ndeshje basketbolli, - tregon Rodman. - Sapo zbrita nga avioni, më pritën me tapet të kuq rreth 80 persona të veshur në mënyrë elegante. Më rrethuan dhe më pyetën a isha i kënaqur që ndodhesha në vendin e tyre".

Takimi me liderin koreano-verior Kim Jong-un ishte mjaft i veçantë për Rodman. "Gjatë demonstrimeve të Harlem Globetrotters isha veshur normalisht, nuk luaja. Disa njerëz më kërkuan që t’i ndiqja dhe në mënyrë instiktive mendova se donin të më arrestonin… U afrova te një nga karriget që ishin vendosur në parket dhe 22 mijë të pranishmit u ngritën në këmbë, duke duartrokitur, - rrëfen ish-basketbollisti. – Kujtova se e kishin me mua dhe u ktheva përshëndetjen, por një nga shoqëruesit më tha se e kishin me liderin. 'Lideri i kujt, çfarë…?", mendova në atë çast. Nuk e kisha idenë kush ishte".

Nga vizita e Rodman në Korenë e Veriut. Gazeta Si, 9 maj 2020

Por gjërat shkuan mirë gjithsesi me liderin Kim Jong-un. "Më tha se e çmonte shoqërinë time dhe se gjatë mbrëmjes do të rrinim bashkë në karaoke, duke pirë vodka. Vetëm se gjatë darkës e ekzagjeruam me alkoolin dhe Kim filloi të këndonte. Unë isha tapë dhe nuk kuptoja asgjë se çfarë thoshte. Pastaj erdhën një kor vajzash që këndonin gjithmonë të njëjtën këngë, më dukej si sigla e "Dallas".

Raporti mes liderit Kim dhe Denis Rodman vazhdoi edhe pas vizitës në Korenë e Veriut, edhe pse nuk flisnin për politikë. Por në një moment diçka nuk shkoi aq mirë dhe Rodman shpjegon pse. "Kur isha në Korenë e Veriut, vajza e Kim ishte vetëm 6 muaj, luaja me të dhe i dhurova edhe fanellën time. Isha si i shtëpisë. Në një moment, kur u ktheva në Amerikë, kuptova se kontrollonin telefonin tim”, - thotë Rodman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë